Edhe me bjeshkatari promovohen bukuritë e Dibrës

    Dashuria ndaj kombit, mes tjerësh tregohet edhe me prezantimin e bukurive natyrore kombëtare të trevave shqiptare. Pikërisht prezantimi më i mirë i bukurive tona bëhet edhe me aktivitetet në sferën e bjeshkatarisë dhe alpinizmit. Kështu thotë dibrani Xheladin Nasufi, i cili jeton në SHBA dhe merret më se tre dekada me bjeshkatari dhe alpinizëm, duke kaluar shumë male në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton dhe ku si bjeshkatar – ka kaluar shumë male atraktive në shumë shtete të Amerikës.

    “Në trojet shqiptare nuk është shfrytëzuar sa duhet bukuria që na e ka falur Zoti për zhvillimin e turizmit. Në trojet tona ka shumë bukuri natyrore siç janë malet, lumenjtë, liqene… Prandaj dua si shqiptar, me aktivitetin tim sadopak të promovoj bukuritë natyrore që i posedon shqiptaria, të vijnë në shprehje”, thotë për gazetën Koha, Xheladin Nasufi, dibrani i cili si 19-vjeçar, në vitin 1986, migroi në SHBA.

    Me Xheladinin u takuam këto ditë në Dibër. Së bashku me familjen e tij, ai kishte ardhur në vendlindje për të pushuar, por edhe për të marrë pjesë në aktivitetet të bjeshkatarëlve të klubit “Dibra” nga Dibra.

    “Jam në kontakt të rregullt me udhëheqësinë e klubit të bjeshkatarëve dibran dhe tanimë disa herë, viteve të fundit, kam marrë pjesë në aktivitetet e tyre për t’u ngjitur maleve të Dibrës dhe rajonit. Jam anëtar i rregullt i klubit dhe ditë më parë u ngjitëm në majat e maleve Deshat, Bistër dhe Stogovë. Planifikojmë të ngjitemi edhe në majën e malit Korab”, tha Xheladini, duke e potencuar se bjeshkataria është një hobi, por edhe sport I cili ka ndikim të madh në promovimin e bukurive natyrore.

    Pas çdo aktiviteti trasmetojmë video-incizime dhe foto nga bukuritë që i kemi parë, të cilët ndiqen me shumë interes në rrjetet sociale, vazhdojmë bisedën me Xheladinin.

    Ekspeditat të bjeshkatarëve dibran janë masive dhe gjithmonë në to ka edhe ndonjë mërgimtarë që jeton në Amerikë dhe shtete të Europës, thotë bjeshkatari dhe alpinisti Xheladin Nasufi. Ai shton se ka kaluar dhe është ngjitur në shumë male në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

    “Jam anëtar nderi në shumë shoqata të bjeshkatarëve dhe alpinistëve në trojet shqiptare. Trojet shqiptare kanë pasuri të mëdha natyrore, por nuk janë shfrytëzuar aq sa duhet për zhvillimin e turizmit sidomos malor, liqenor e tjerë. Shumë shpesh kam arritur në trojet shqiptare kur organizohen ekspedita nga klubi i bjeshkatarëve ‘Alpet Prishtina’. Disa here kam qenë në ekspedita në Kosovë, në Bjeshkët e Nemuna, në Bjeshkët e Deçanit, Bjeshkët e Isniqit, por edhe në malin Sharr me klubin e Bogovinës, dhe disa male në Shqipëri me disa klube me të cilët kontaktoj”.

    Dashamirë të bjeshkatarisë janë edhe anëtarët tjerë të familjes Nasufi, si bashkëshortja e tij – Laura dhe djali Hamiti.

    “Jemi bjeshkatarë të rregullt edhe në Amerikë dhe kemi marrë pjesë në ekspedita në malet e disa shteteve”, tregon bashkëshortja e Xheladinit, Laura. Ajo shton se pa flamurin kombëtar nuk udhëtojmë meqë gjithmonë e kemi në zemër. Xhelarini, i cili si shumë të rinj nga Dibra që migruan në SHBA, merret edhe me sportin e vrapimit. Ka vrapuar në maratonën “Albania”, Tiranë – Dibër, pastaj maratonën malore Valbonë-Theth, si dhe në shumë maratone tjera që janë mbajtur në trojet shqiptare.

    “Do të vazhdoj të jem aktiv edhe më tej, meqë nuk ka gëzim shpirtëror më të madh kur ecë në bukuritë kombëtare dhe ata pastaj mundesh t’i promovosh në opinion mbarëkombëtar, në mënyra të ndryshme. Shqiptaria është shumë e bukur”, thotë Xheladini.

    Lajmi Paraprak

    Ndërrohet ministri, ndërrohen edhe ligjet!

    Lajmi i rradhës

    Çfarë po ndodh me letrën e Bërnabiqit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë