Edhe pleqtë e Dibrës po migrojnë!

    Dibra gjatë dekadave të kaluara gjithmonë ka pasur plagën e rëndë të migrimit. Për shkaqe ekonomike, por edhe politike – sot në botën e jashtme faktikisht ka dy Dibra të tjera nëse bëhet krahasim me banorët që kanë migruar dhe ata që jetojnë në vendlindje. Dukuria në fjalë vazhdon edhe sot, por me një karakteristik të re, e ajo është migrimi edhe e moshës së tretë, me qëllim që të jenë së bashku me fëmijët e tyre që janë në janë zhvendosur në SHBA dhe vende të Evropës. Është një situatë, e cila përcillet me emocione dhe lot meqë ka raste kur prindërit dalin në pension dhe pas pensionit – me qëllim që t’i kenë pranë fëmijët, edhe ata marrin rrugën e migrimit.

    Një shembull tipik është edhe migrimi këto ditë i Baudin Maqëllarës, një intelektual dibran, profesor dhe aktivist në shoqëritë kulturo-artistike lokale.

    Në moshën e tij 76 vjeç, migroi për në Amerikë, ku gjenden fëmijët e tij. Baudini, i cili rrjedh nga një familje artistësh e të cilët i kanë dhënë shumë kulturës dibrane, pas shumë vite që ka dalë në pension, këto ditë ka arritur në SHBA, meqë paraprakisht ka marrë edhe dokumentet adekuate amerikane për migrim. Atje ka djalin dhe vajzën.

    Baudin Maqëllara ka studiuar dhe ka punuar shumë vite në Kosovë. Pas kthimit në Dibër ka qenë profesor në shkollat fillore dhe në gjimnazin e Dibrës, nga ku del në pension. Për shkak të situatës në Kosovë dhe diskriminimit që u është bërë arsimtarëve atje, shumë vite punë Baudini ka humbur të paregjistruara nga sistemi Jugosllav, gjë që kjo negativisht i ndikoi edhe në nivelin e pensionit. Ai njihet në Dibër edhe për vlerat që pati si anëtar i disa shoqërive kulturo-artistike. Ishte një ndër valltarët, të cilët duartrokiteshin gjatë pjesëmarrësve në koncerte. Emri i tij është i njohur jo vetëm në Dibër, por edhe në mbarë trevat shqiptare meqë kontribuoi shumë edhe në rritjen e bashkëpunimit mes krijuesve të të dy Dibrave dhe organizimin të koncerteve në Kosovë dhe Shqipëri.

    Ai për gazetën KOHA rrëfehet se disa vite më parë për në SHBA kanë migruar fëmijët e tij. “Nuk jetohet pa fëmijët. Jam në moshë madhore dhe tani kur është koha dhe vet mosha për të jetuar në vendlindje, jemi të detyruar që të migrojmë. Nuk mund të jetosh pa fëmijët, prandaj edhe rruga në çon në migrim pikërisht që të jemi më afër fëmijëve. Së bashku me bashkëshorten kemi dokumentet e migrimit dhe fëmijët janë në Nju Jork. Vendosa që duke migruar, të jem më afër tyre”, thotë Baudini, i cili me lot në sy dhe mallëngjim na tregon se është shumë rëndë që në këto vitet e tij të braktis Dibrës.

    “Kam shumë kujtime në jetë. Kujtime nga rinia, problemet që patëm me sistemin jugosllav në Kosovë, por edhe gëzimet që pata gjatë jetës time në sferën e kulturës, dhe të gjithë këta do t’i kem në shpirtin tim edhe atje në Amerikë”,  thotë Baudini i cili rrjedh nga një familje e cila është e njohur në sferën e muzikës.

    Por, Baudin Maqëllara është një nga shumë dibranë të cilët tre vitet e fundit edhe pse janë në moshë të tretë, vendosin që të migrojnë me qëllim të jenë më afër fëmijëve. Kjo ndodh sidomos në SHBA. Edhe raste të tjera të migrimit të të moshuarve pothuajse janë të njëjta. Rrugëtimi drejt migrimit që ka marrë një hov të madh nga ana e të rinjve kohëve të fundit, merr një hov edhe me moshën e tretë. Dibra nga viti në vit zbrazet dhe mbushet vetëm gjatë sezonit veror. Besohet se ashtu do të jetë edhe këtë verë meqë janë paralajmëruar shumë dibran të cilët janë në diasporë si nga Amerika ashtu edhe nga Evropa të cilët këtë verë do të jenë në vendlindje. Por ata vijnë tani vetëm si “mysafir”, meqë shtëpinë e tyre të dytë e kanë shumë larg vendlindjes. /koha/

    Lajmi Paraprak

    UNIVERSITET PA KORRUPSION | Studentët në Maqedoni frikësohen ta paraqesin korrupsionin

    Lajmi i rradhës

    Rriten dyshimet mbi regjistrimin në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë