Rriten dyshimet mbi regjistrimin në RMV!

    Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni po zvarritet prej kohësh me pika që nuk janë pastruar. Për realizimin dhe rezultatet e kësaj ndërmarrje statistikore pati shumë vërejtje.

    Pak ditë më parë raporti i Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) hapi dyshime për censusin e kryer në vitin 2021. ESHR ka vënë në dukje disa parregullsi që duhet të sqarohen nëse dhe në çfarë mënyre mund të ndikojnë në rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë. Ka rezerva për saktësinë e të dhënave për personat që kanë qenë në ushtri, jashtë vendit, në burgje dhe të pastrehë në kohën e regjistrimit.

    “Janë përcaktuar situata në lidhje me përgatitjen dhe zbatimin e regjistrimit, të cilat ndikojnë në mundësinë e vërtetimit të saktësisë dhe plotësimit të të dhënave për personat që në momentin e regjistrimit janë në shërbim të ushtrisë në vend. ose jashtë vendit, ose në vuajtje të masës së paraburgimit ose dënimit me burg, për personat në shtëpitë korrektuese dhe për personat që i përkasin kategorisë së të pastrehëve”, thuhet në raportin e publikuar nga ESHR.

    Aty shtohet se për revizorët ishte problematike që regjistruesit ishin të pakët dhe njerëzit ishin të regjistruar jashtë shtëpive të tyre.

    “Nga Revizioni konstatohet se regjistrimi në terren është kryer me 505 instruktorë dhe 4.482 regjistrues, numër ky më i ulët se numri i planifikuar, si dhe është bërë regjistrimi i personave që nuk janë regjistruar në ambientet e komisioneve të zonave të regjistrimit të kryera, një mënyrë regjistrimi që nuk e ka paraparë në Ligjin e Regjistrimit”, thuhet në njoftim.

    Për revizorët është kontestuar edhe aplikacioni për regjistrim online të shtetasve të Maqedonisë që janë në punë të përkohshme ose që qëndrojnë jashtë vendit, sepse në vitin 2019 është blerë aplikacion softuer për regjistrim, por nuk është blerë aplikacion softuer për vetëregjistrim. Është blerë në fund të shkurtit, pa para dhe në këmbim Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) ka marrë përsipër të nxjerrë në pah emrin e kompanisë nga është marrë.

    “Ky është një promovim, sponsorizim, për të cilin Ministrisë së Drejtësisë nuk i është kërkuar një vendim se është me interes publik. Për më shumë se një vit, menaxheri i kompanisë që zhvilloi aplikacionin ishte anëtar i Këshillit të Statistikave”, nënvizohet në raport.

    Po ashtu në raport ka pasur vërejtje se drejtori nuk ka nënshkruar rregulloren për pagesën e 3.1 milionë euro ndaj regjistruesve, se nuk ka pasur plan financiar se si do të shpenzohen 8.5 milionë euro të parapara dhe se nuk ka pasur prokurim publik për tabletët.

    Lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, kërkoi nga Qeveria që të formojë një komision ekspertësh, i cili në bashkëpunim me ESHS-në do t’i kontrollojë të dhënat dhe do t’i largojë gabimet. Mirëpo, kjo ide u refuzua menjëherë, me drejtorin e ESHS-së, Apostol Simovski, që tha se kjo do të nënkuptonte kthimin e regjistrimit nga një operacion statistikor në një operacion politik.

    Njëherit, rezultatet e regjistrimin janë kontestuar edhe nga disa parti, shoqata civile të romëve, boshnjakëve, turqve, vllehve, serbëve si edhe nga KOM-OA. Shumica prej tyre raportuan se nuk i pranojnë rezultatet, se nuk janë relevante dhe nuk besojnë në atë që është raportuar. E gjithë kjo kontribuoi në krijimin e mosbesimit në publik ndaj regjistrimit, i cili u krye për herë të parë në 19 vjet.

    Ndryshe, regjistrimi është bërë në periudhën prej 05.09.2021 deri më 30.09.2021, dhe ndër të tjera ka treguar se në Maqedoninë e Veriut, jetojnë 1.836.713 banorë, 598.632 amvisëri dhe 839.174 banesa. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Edhe pleqtë e Dibrës po migrojnë!

    Lajmi i rradhës

    Tetovarët kërkojnë që të vazhdohet me ndërtimin e bulevardit “Bllagoja Toska”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë