LEN: për qytetarët lëmoshë prej dy mijë denarë, për politikanët rritje prej 78% të rrogës

    Nga Lidhja Europiane për Ndryshim kanë kritikuar rritjen e serishme të pagave të funksionarëve. Partitë opozitare shqiptare thonë se pushteti lavdërohet me rrogën minimale që ka arritur në 22.500 denarë, ndërsa rreth 2.000 funksionarë do të marrin nga 24.000 shtesë nga ky muaj, përcjell Nistori.

    “Tash që po afrohen zgjedhjet, pushteti filloi të bëjë fushatë parazgjedhore, duke manipuluar popullin me gjoja masa antikrizë, me të cilat, vetëm për pesë muaj, nxënësve do u shpërndajë nga 1.200 denarë (20€), pensionistëve nga 3.000 denarë (50€), por ama paturpësia shpejt u doli në shesh, sepse nga muaji janar, ky pushtet aktual i LSDM-së, BDI-së dhe ASh-së i rrisin pagat për mbi dy mijë funksionarë të tyre me nga 24.000 denarë (400 €). Kjo rritje e rrogës ndodh për shkak të rritjes së pagës mesatare. Megjithatë, ndodh vetëm disa muaj pasi pushteti rriti pagat e funksionarëve me 78%. Dhe me rritjen e fundit, tani shumica e funksionarëve të pushtetit do të kenë paga nga 2500€ deri në 3000 €. Por ama lavdërohen se e kanë rritur pagën minimale në 22.500 denarë ose rreth 370 €. A ka turp më të madh, a ka zhvatje më të madhe, a ka dyfytyrësi më të madhe se kjo qeveri dhe funksionarët e saj”, thuhet mes tjerash në reagimin e LEN.

    Sipas Lidhjes, pas disa muajve, politikanët do të dalin të kërkojnë votën e qytetarëve dhe me paturpësi do të thonë; na votoni ne që kemi rroga prej 3000€, sepse ne i bëmë rrogat tuaja nga 370€!

    Lidhja Europiane për Ndryshim fton institucionet relevante që ta shqyrtojnë sa më shpejtë këtë çështje dhe të gjejnë zgjidhjen ligjore që pagat e funksionarëve të jenë në përputhshmëri me standardin e qytetarëve e jo me dëshirën e pushtetit. Në qoftë se kjo Qeveri do të hesht, Lidhja Europiane për Ndryshim zotohet se sapo të fitojë besimin e popullit, që në ditët e para të udhëheqjes së saj me institucionet seriozisht do ta shqyrtojë çështjen e pagave mujore të funksionarëve shtetëror, me ç’rast do të krijojë kushte që dallimet të jenë në kornizat e mundësive reale, ndërsa do të punojë që të rriten pagat e qytetarëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Me sy nga Kosova – Jeta në fshatin Borje të Shqipërisë 

    Lajmi i rradhës

    Viti 2023 shënoi rënie drastike të besimit në sistemin gjyqësor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë