Edi Rama: Barbari të marrë dënimin më të rëndë

    Dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme ngjarje të tilla, deklaroi kryeministri Edi Rama teksa u pyet nga gazetarët për rishikimin e Kodit Penal, për ngjarje të rënda si ajo Fierit, ku një 8-vjeçar u vra nga fqinji i tij 38 vjeç.

    “Siç të gjithë e keni marrë lajmin e ndodhisë tragjike të pasdites së djeshme në Fier, e gjithë shoqëria është tronditur, por mbi të gjitha mbetet e pangushëllueshme për prindërit, familjen, të afërmit humbja e vogëlushit Mateo. Ajo çka megjithatë nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje në mendjen dhe zemrën e nënës, babait, familjes, por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë, është verdikti më ekstrem i drejtësisë ndaj barbarit, i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe kapjes së shpejt nga policia, gjendet sot prapa hekurave. Kjo është një nga ato ngjarje që të lënë pa fjalë dhe duke shqyrtuar imtësisht gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhjen e ngjarjes si dhe profilin e autorit mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe siç e thashë domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe kështu për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës. Vëllazërisht iu shpreh ngushëllimet familjes, i vetëdijshëm që fjalët në një rast si ky janë të pafuqishme”, tha Rama.

    Kreu i ekzekutivit shqiptar nënvizoi se rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur, as një formulë apo shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje.

    “Çështja e dënimit me vdekje është një çështje e adresuar kohë më parë si çështje e civilizimit tonë nga të gjitha vendet e BE dhe më gjerë dhe në adresimin e kësaj çështje ka pasur një proces të gjatë kur janë hedhur nga vendet e para hapat për heqjen e dënimit me vdekje të bazuar në shumë analiza. Shoqëritë edhe në vendet më të zhvilluara i kanë këto qenie që janë në gjendje të shkojnë deri në shfaqjet me ekstreme të asaj që ka mbetur nga kafsha në qenien e njeriut”, tha Rama.

    Ndryshe, trupi i 8-vjeçarit u gjet i mbuluar me baltë, në ambientet e banesës së Klodian Çalamëni, 38 vjeç. Ky i fundit u arrestua nga Policia.

    Autori i ngjarjes ka shfaqur shenja dhune edhe në të shkuarën, kryesisht kundrejt fëmijëve.

    Lajmi Paraprak

    Boçvarski: Në pranverë pritet të fillojë ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë

    Lajmi i rradhës

    Erdogan ka deklaruar se do të luftojë për largimin e interesit dhe inflacionit nga kombi turk

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë