Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt 2025, në Kosovë vazhdon bllokada politike. Parlamenti nuk funksionon dhe asnjëra nga partitë nuk mund të qeverisë e vetme. Megjithatë askush nuk dëshiron një koalicion.
Republika e Kosovës përballet me shumë probleme urgjente. Ekonomia është një nga më të dobëtat në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, njerëzit po emigrojnë masivisht dhe konflikti politik me Serbinë shkakton vazhdimisht trazira në vend. Pikërisht në këtë situatë, që prej tre muajsh ka një ngërç të madh politik – që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk është arritur një shumicë e re qeverisëse dhe as aktiviteti i zakonshëm parlamentar nuk po zhvillohet, pasi partitë nuk po arrijnë të bien dakord për një kandidat për kryetar parlamenti.
Pas zgjedhjeve, politikanët u gjendën në një situatë bllokimi. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e krahut të majtë me kryeministrin aktual Albin Kurti, fitoi rreth 42 për qind të votave dhe 48 deputetë. Nga ana tjetër qëndrojnë partitë opozitare të qendrës së djathtë: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me rreth 22 për qind të votave (25 deputetë), e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17 për qind (20 deputetë) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me shtatë për qind (8 deputetë). Parlamenti i Kosovës ka gjithsej 120 deputetë, prej të cilëve 20 janë të rezervuar për pakicat – dhjetë për pakicën serbe dhe dhjetë për pakicat e tjera në vend.
Zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit dështon vazhdimisht
Fillimi i punës së rregullt parlamentare pas zgjedhjeve ndodh sipas kushtetutës vetëm pas zgjedhjes së një Kryetari apo Kryetareje të Parlamentit. Por kjo zgjedhje ka dështuar deri tani. Partia Vetëvendosje, ka propozuar Ministren aktuale të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si kandidate, por ajo ka dështuar në dymbëdhjetë votime – më i fundit më 7 maj 2025, ku ajo mori vetëm 56 vota. Partitë opozitare e refuzojnë atë, duke thënë se është “përçarëse” dhe e papërshtatshme për këtë post të rëndësishëm.
Pa afate dhe kufizime kushtetuese
Kryeministri aktual Albin Kurti ka tentuar deri më tani ta sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash pa përfshirë partitë e qendrës së djathtë, por pa sukses. Në këtë fazë midis shpalljes së rezultateve dhe zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit, kushtetuta e Kosovës nuk parasheh afate apo kufizime, prandaj ngërçi politik vazhdon.
Donika Emini, eksperte në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BIEPAG), thotë se kjo ishte e parashikueshme. “Zgjedhjet e kanë shndërruar Kosovën në një sistem të mirëfilltë shumëpartiak,” thotë ajo. “Të përballesh me këtë duket e vështirë për kryeministrin aktual. Mungon vullneti për kompromis.”
Pas shumë raundeve të dështuara bisedimesh mes Kurtit dhe partive opozitare, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, propozoi krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse deri në vitin 2026 dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme bashkë me zgjedhjet presidenciale. Kurti dhe Vetëvendosje e refuzuan këtë ide.
Presidentja duhet të ndërhyjë
Meqë të gjitha opsionet e mëparshme kanë dështuar, tani pritet që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të merret me këtë çështje dhe të ftojë përfaqësuesit e partive për bisedime. Megjithatë, përveç deklaratave paralajmëruese, Presidentja nuk ka kompetenca direkte për të ndikuar. Edhe kjo fazë e konsultimeve teorikisht mund të zgjasë pafund.
Analistja Donika Emini e sheh egoizmin politik si problemin kryesor: “Zgjidhja e kësaj bllokade do të ishte shumë e lehtë, nëse partitë do të shikonin përtej interesave të tyre dhe do të vendosnin në plan të parë agjendën shtetërore,” thotë ajo. “Veçanërisht Vetëvendosje duhet të bëjë hapin e parë drejt kompromisit duke ndërruar kandidaten për Kryetare Parlamenti.”
Pakënaqësia po rritet
Ndërkohë, pakënaqësia e qytetarëve me këtë ngërç politik po rritet gjithnjë e më shumë. Inflacioni ka arritur nivele rekord – vetëm çmimet e energjisë elektrike janë trefishuar në një vit. Furnizimi me energji është problematik prej vitesh – në fillim të këtij viti ka pasur ndërprerje të energjisë deri në 10 orë në ditë. Për shkak të këtyre kushteve të vështira, emigrimi është shtuar ndjeshëm, sidomos pas heqjes së vizave me vendet e BE-së në janar 2024.
“Loja politike” e Kurtit mund të kthehet kundër tij
Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu i quan përpjekjet e dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit si “një lojë politike që po bën Kurti për të fituar kohë, derisa të gjejë shumicën prej 61 deputetësh”. Por kjo lojë mund t’i kthehet kundër, veçanërisht duke parë pakënaqësinë në rritje të popullatës. “Humbësi më i madh, sipas mendimit tim, është Albin Kurti, sepse sa më shumë të zgjasë kjo situatë, aq më e vështirë bëhet për të.” /DW/