Gjermania dhe Franca mbështesin propozimin amerikan për tatimin e sipërmarrjeve

    Propozimi i qeverisë amerikane për tatimin global të sipërmarrjeve u përshëndet në Francë dhe Gjermani. Të dyja shtetet kanë kohë që duan t’i afrojnë tatimet për sipërmarrjet.

    Kur Gjermania dhe Franca diskutonin në janar 2018, në prag të nënshkrimit të Traktatit të Ahenit (pasardhës i Traktatit të Elizesë) miratimin e një legjislacioni të përbashkët për tatimin e sipërmarrjeve, kjo dukej si utopi.

    Por tani kjo duket më pranë realitetit. Gjermania dhe Franca flisnin atëherë për një masë bilaterale, për të përafruar kuotat e tatimit të sipërmarrjeve në të dyja vendet.

    Të dyja shtetet mund ta shohin veten me kuota të përafërta tatimesh në sajë të një propozimi të administratës së re në SHBA: për të miratuar një normë të përbotshme të njësuar mininale tatimore.

    Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz dhe kolegu i tij francez, Bruno Le Maire u thanë mediave gjermane dhe franceze” se do ta mbështesnin një normë minimale tatimore deri në 21 përqind. E rëndësishme është të bihet dakord për një normë të njësuar, theksoi Scholz.

    “Personalisht, nuk do të kisha asgjë kundër propozimit të SHBA,” tha ministri gjerman i Financave Olaf Scholz në një intervistë me “Zeit Online” dhe gazetën franceze “Le Figaro”.

    “Nëse kjo do të jetë rezultat i negociatave, edhe ne do të ishim dakord,” shtoi homologu i tij francez, Bruno Le Maire. Le Maire tha se njerëzit janë ngopur me korporatat e mëdha që nuk paguajnë pjesën e tyre të taksave dhe me bizneset digjitale që nuk kanë të njëjtin nivel tatimi si firmat më të vogla.

    Po të arrihet një marrëveshje, Franca do të jetë madje e gatshme të shfuqizojë taksën digjitale franceze, që tashmë është miratuar.

    “Sapo të ketë një marrëveshje ndërkombëtare si për tatimin digjital ashtu edhe për tatimin minimal, ne do ta heqim taksën tonë digjitale kombëtare,” tha Le Maire. “Por më lejoni të jem shumë i qartë këtu: në rast se nuk ka marrëveshje në nivelin ndërkombëtar, ne do ta mbajmë atë.”

    Optimistë për dakordim këtë verë

    Të dy u shprehën optimistë e tyre se këtë verë do të arrihet një mirëkuptim në debatin mbi reformimin e sistemit ndërkombëtar të tatimeve. Ky debat bëhet brenda kornizës së organizatës së vendeve të industrializuara OECD. Synimi është një tatim më i drejtë i korporatave të mëdha, veçanërisht kompanive digjitale.

    Edhe po të arrijnë Gjermania dhe Franca të bien dakord për një normë minimale globale, ka ende rezistencë të konsiderueshme brenda BE ndaj planeve të Presidentit të SHBA, Joe Biden. Shtete të vogla në veçanti, të tilla si Holanda ose Sllovakia, i rezistojnë kësaj, pasi ato tërheqin sipërmarrje të mëdha me norma të ulëta.

    Eksperti i ekonomisë, Volker Wieland citohet nga revista “Der Spiegel” me mbështetjen e tij për koordinimin e parimeve të tatimit ndërkombëtar dhe që ato të zbatohen në mënyrë uniforme. “Kjo mund të kufizojë në mënyrë efektive sjelljen e dëmshme të shmangies së taksave, për shembull përmes zhvendosjes ekstreme të fitimit,” tha ai. Një mundësi do të ishte tatimi sipas vendit të konsumit në vend të vendit të fitimeve të sipërmarrjeve, d.m.th. të zbatohet parimi i një vendi të destinacionit.

    “Megjithatë, nivelet minimale të taksave, veçanërisht nivele të tilla të larta, do të kufizonin pa nevojë konkurencën ekonomike”, paralajmëron Wieland. “Ato sigurisht që janë të drejtuara kundër vendeve më të dobëta dhe më të vogla, të cilat shpesh kanë norma më të ulëta të taksave të sipërmarrjeve dhe janë akoma shumë larg zhvillimit ekonomik nga vendet kryesore industriale.”

    Wieland tha se nivelet minimale të tatimit do të frenonin në këto vende mundësitë për të tërhequr industri përmes stimujve tatimorë.

    Për shkak të globalizimit, në 30 vitet e fundit ka patur një garë për taksa më të ulëta të sipërmarrjeve. Prandaj qeveria e re e SHBA ka bërë thirrje për të përcaktuar një normë minimale tatimi në të gjithë botën./DW/

    Lajmi Paraprak

    Rahoveci barazon serinë gjysmëfinale ndaj Yllit, finalisti vendoset në ‘Mizahir Isma’

    Lajmi i rradhës

    Ferarri mendon për të ardhmen, krijon makinën e vitit 2022

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë