Ekonomia e “allëshvereshëve”!

    Ekonomia informale apo gri qarkullon disa miliardë euro në vit apo nga 20 deri gati 40 për qind e ekonomisë së vendit. Me fjalë tjera, lartësia e saj varet nga lloji i hulumtimit dhe metodologjia e përdorur. Kjo do të thotë nëse sipas Bankës Botërore, Prodhimi i Brendshëm Bruto është afër 13.5 miliardë euro në vitin e kaluar, ekonomia informale luhatet ndërmjet 2.7 dhe 5 miliardë euro në vit. Gjithashtu, ekonomia në hije nuk mund të matet saktësisht, sepse janë të ardhura që pronarët e saj duan t’i fshehin, ndaj ekonomistët përdorin metodologji të ndryshme për të vlerësuar përafërsisht aktivitetin e padeklaruar ekonomik, si për shembull konsumi i energjisë elektrike.

    JASHTË RRJEDHAVE FORMALE

    Kontrabandë, rrogë në zarf, punë ilegale, bizneset që punojnë jashtë rrjedhave formale të biznesbërjes në shtet apo preferojnë “alëshvereshin”, këto janë vetëm një pjesë e ekonomisë grin në vend.. Ekonomistët vlerësojnë se puna në të zezë e bizneseve nuk është një problem i ri, por është i trashëguar, duke shtuar se ekonomia informale paraqet një problem që është shtresuar me vite, dhe kërkon luftë vazhdueshme dhe jo luftë në aspekt fushate.

    Eksperti Pavle Gacov , shpjegon të punosh ilegalisht me punëtorë që marrin një lloj ndihme shtetërore, të mos lëshosh fatura fiskale, të paguajmë kesh apo me para në dorë pa paguar tatime, janë vetëm disa nga format e ekonomisë informale ndaj së cilës shteti nuk ndërhyn në mënyrë sistematike. Sipas tij, se lufta kryesore jo vetëm e Maqedonisë, por edhe e vendeve të rajonit duhet të jetë ekonomia gri. “Ajo mundëson konkurrencë të pandershme dhe ngadalëson zhvillimin e sektorit privat dhe të kapitalit njerëzor. Njëherësh ekonomia gri, reduktohet më së miri duke dekurajuar transaksionet me para dhe duke reduktuar pagesat me para. Këto masa tashmë funksionojnë pothuajse në të gjitha vendet evropiane që kanë sukses në luftën kundër ekonomisë gri”, thekson ai.

    KOMISIONI EUROPIAN VËREJTJE PËR EKONOMINË INFORMALE

    Sfidat e ekonomisë së madhe informale nuk po trajtohen me vendosmëri. Ekonomia informale vazhdon të jetë një pengesë e konsiderueshme për veprimtarinë e biznesit të kompanive të rregulluara. Sipas vlerësimeve të FMN-së, mund të jetë deri në 38 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

    Zbatimi i strategjisë dhe planit të veprimit të qeverisë për të luftuar ekonominë informale mbetet i ngadalshëm, veçanërisht në lidhje me formalizimin e punëtorëve të padeklaruar. Në tetor 2021, Qeveria miratoi një raport për vlerësimin e zbatimit të këtij plani, si dhe miratoi një plan të ri veprimi 2021-2022. Sektori informal në vend ka forma të ndryshme, ndër të cilat më e spikatura është fuqia punëtore e padeklaruar. Paga pjesërisht të padeklaruara dhe parregullsi të tjera në zbatimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, thuhet në Raport Progresin e BE-së për vitin e kaluar.

    Nga Ministria e Financave thonë se ekonomia informale është problem sistematik për të cilin nuk mund të ketë zgjidhje afatshkurtra dhe të pjesshme, por zgjidhje afatgjata dhe sistematike, zgjidhje konsistente dhe maratonë për formalizimin e ekonomisë joformale, që pritet të ulet nga afër 30 për qind në 26 për qind për katër vite. Analizat e këtij dikasteri tregojnë se vlera e ekonomisë joformale në vitin e kaluar është rreth 4.32 miliardë euro. Kjo nënkupton 795 milionë euro mjete shtesë si fluks hyrës në nivel vjetor në bazë të të hyrave tatimore në buxhet. Më konkretisht, këto mjete janë të barabarta me mjetet e nevojshme për autostradën e Korridorit 8 apo Korridorin 10-d, katër qendrat klinike, apo rikonstruimin e të gjitha ndërtesave shkollore në vend.

    Ministri i Financave Fatmir Besimi, thotë se analizat e UNDP-së kanë identifikuar arsyet e mundshme për ekzistimin e ekonomisë joformale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç janë karakteristikat dhe nevojat e tregut të punës, shfrytëzimi i parave të gatshme në transaksionet afariste, niveli i ulët i moralit tatimor dhe disiplinës tatimore, niveli i lartë i tolerancës ndaj joformalitetit, rritja e konkurrencës dhe globalizimit, perceptimi i lartë i korrupsionit që ekziston në Ballkanin Perëndimor, barra e mundshme administrative e formalizimit, standardi më i ulët i jetesës dhe niveli të varfërisë

    JOATRAKTIVE

    Sipas tij, logjika ekonomike thotë se nëse duam ta reduktojmë ekonominë joformale, duhet ta bëjmë atë ekonomikisht “joatraktive”. “Ekonomia joformale duhet bërë jofitimprurëse me qëllim të uljes së interesit për të qëndruar në atë zone. Thënë në terma ekonomike dhe profesionale, duhet të rritet kostoja oportune e ekonomisë joformale, gjegjësisht të rritet përfitimi i humbur, benefitet që do të kenë nëse përfshihen në sektorin formal. Kjo mundësohet duke vepruar nga njëra anë përmes rritjes së kostove të sektorit joformal ose riskut të veprimit në sektorin joformal dhe nga ana tjetër përmes rritjes së benefiteve në sektorin formal. Domethënë, pasojat për ata që janë pjesë e ekonomisë joformale janë më të mëdha se përfitimet”, thekson Besimi.

    Në të kaluarën Ministria e Punës, Financave dhe dikastere të tjera kanë ndërmarrë aksione dhe veprime të ndryshme për të luftuar dhe zvogëluar ekonominë informale.

    Njëherësh në strategjinë e re 2023-2027, parashikohet reduktimi i ekonomisë gri në 26 për qind të PBB-së deri në fund të vitit 2027. Strategjia bazohet në dy fusha kryesore – e para është sistemi dhe e dyta janë qytetarët. Qëllimi është krijimi i sistemit të fuqishëm që do të luftojë kundër ekonomisë gri, gjithashtu përforcimi i moralit tatimor te qytetarët dhe ndërgjegjësimi se me luftimin e ekonomisë gri, ata investojnë në të ardhmen e tyre dhe në një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Në kuadër të fushës së parë, qëllimi i parë është rritja e efikasitetit të institucioneve publike dhe përmirësimi i mjedisit afarist për reduktimin e ekonomisë joformale dhe përshpejtimin e procesit të formalizimit të tregut të punës.

    EKONOMIA INFORMALE SA HARXHIMET SHËNDETËSORE

    Në ekonomitë evropiane ka një aktivitet ekonomik informal në masën 18.4 për qind, që është pjesë e mostatimit duke e hedhur barrën në pjesën formale të ekonomisë që mbetet në masën 81.6 për qind.

    Evropa ka një evazion në shumën e 1 triliardë dollarë amerikan, që është një kosto e barabartë me një humbje tatimore sa shpenzojnë qeveritë evropiane për shërbimet shëndetësore për një vit fiskal. Nëse e krahasojmë humbjen fiskale nga boshllëku tatimor me shpenzimet qeveritare ato i mungojnë qeverive evropiane në një nivel prej 18 për qind të totalit të shpenzimeve që ato kryejnë. Kjo nënkupton shpenzime publike më pak dhe një cenim të parimeve kushtetuese.

    Rusia ka 3.4 herë tatime të munguara më shumë se shpenzimet e saj për kujdesin shëndetësor, e pasuar nga Brazili me 1.7 herë më shumë dhe deri te Shtetet e Bashkuara, të cilat edhe pse kanë një humbje prej tatimeve të munguara në shumën 1.28 triliardë dollarë, ajo që është shqetësuese është se kjo shumë konsumon një pjesë prej 19 për qind të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë në RMV kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira

    Lajmi i rradhës

    Lloga: Mexhitit tash i kujtohet të shqetësohet për të kaluarën e tij!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë