Ekonomia e Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbështetet kryesisht në ndërmarrje shumë të vogla, një trend që reflekton më shumë mbijetesë sesa zhvillim të qëndrueshëm. Sipas të dhënave paraprake të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) për vitin 2024, nga gjithsej 73.310 ndërmarrje aktive, plot 81.0 për qind kanë nga një deri në nëntë të punësuar. Kjo përqindje e lartë tregon një strukturë ekonomike të fragmentuar, ku pjesa më e madhe e bizneseve operojnë në shkallë minimale, me kapacitete të kufizuara për investime, inovacion dhe zgjerim.
Në praktikë, kjo nënkupton se ekonomia dominohet nga biznese familjare, vetëpunësime apo ndërmarrje të vogla që shpesh janë të ndjeshme ndaj krizave dhe ndryshimeve në treg. Krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara, ku një pjesë më e madhe e punësimit dhe prodhimit vjen nga kompani të mesme dhe të mëdha, kjo strukturë tregon për një bazë të dobët industriale dhe mungesë të konsolidimit të kapitalit.
VETËM 0.3 PËR QIND KOMPANI TË MËDHA
Nga ana tjetër, ndërmarrjet e mëdha mbeten pothuajse të papërfillshme në strukturën e përgjithshme ekonomike. Vetëm 0.3 për qind e ndërmarrjeve aktive kanë mbi 250 punonjës, një tregues që flet për mungesën e kompanive të fuqishme që mund të gjenerojnë produktivitet më të lartë, eksporte dhe stabilitet në tregun e punës.
Edhe ndërmarrjet e mesme mbeten në nivele të ulëta, ku vetëm 1.9 për qind kanë nga 50 deri në 249 punonjës, ndërsa 2.9 për qind operojnë me 20 deri në 49 të punësuar. Kjo piramidë e përmbysur, ku baza dominohet nga mikro-biznese dhe maja është pothuajse inekzistente, tregon për një ekonomi që nuk po arrin të kalojë në fazën e konsolidimit dhe rritjes së qëndrueshme.
TREGTIA DOMINON EKONOMINË
Struktura sektoriale e ndërmarrjeve aktive konfirmon një tjetër problem të kahershëm, si dominimin e tregtisë. Sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motorçikletave, përbën 29.2 për qind të të gjitha ndërmarrjeve, që do të thotë se gati një në tre biznese operon në këtë fushë. Ky orientim i lartë drejt tregtisë sugjeron një ekonomi të mbështetur më shumë në konsum dhe rishitje sesa në prodhim dhe krijim të vlerës së re. Në mungesë të një baze të fortë industriale, vendi mbetet i varur nga importet dhe i ekspozuar ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare, ndërsa sektorët me potencial më të lartë zhvillimor nuk arrijnë të marrin peshën e duhur.
Ndërkaq, edhe pse numri total i ndërmarrjeve aktive arrin në mbi 73 mijë, kjo shifër në vetvete nuk përkthehet domosdoshmërisht në zhvillim ekonomik cilësor. Struktura e tyre tregon se rritja është më shumë numerike sesa transformuese. Pjesa më e madhe e bizneseve mbeten të vogla, të përqendruara në sektorë me vlerë të ulët të shtuar dhe me kapacitet të kufizuar për të krijuar vende pune të qëndrueshme dhe të paguara mirë. Ndryshe, prania e 9.6 për qind të ndërmarrjeve pa të punësuar ose me të dhëna të paplota për punonjësit sugjeron një nivel të caktuar informaliteti ose pasigurie në tregun e punës, duke e komplikuar edhe më shumë analizën reale të fuqisë ekonomike. /Koha/






