SHTRENJTIMI JETESËS NË RMV | Kërkohet rritje urgjente e pagave

    Kostoja e jetesës në mars të vitit 2026, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, u rrit me 4.9 për qind dhe çmimet e produkteve bujqësore u rritën me 6.4 për qind, të produkteve ushqimore me 6.8 për qind dhe të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 0.4 për qind. Njëherësh të mërkurën Autoriteti Rregullator uli çmimet e karburanteve, kështu që së bashku me zbritjen, benzina BS-95 shitet për 80 denarë, 98-oktani për 82, ndërsa nafta për 92.5 denarë për litër.

    Përveç kësaj, mishi është bërë më i shtrenjtë me gati 12.8 për qind, rritja e qumështit, produkteve të qumështit, vezëve është 8.12 për qind, sheqerit me 10.22 për qind, ndërsa rritja e vajit dhe yndyrave është gati 7 për qind. Inflacioni vjetor në mars arriti në 4.9 për qind, që do të thotë se rritja e çmimeve tashmë po shkon përtej asaj që konsiderohej një ritëm i kontrolluar në pjesën e parë të vitit. Për krahasim, vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, ndërsa masat qeveritare për të kufizuar disa çmime ishin aktive, inflacioni vjetor ishte 2.73 për qind.

    Si zgjidhje për shtrenjtimin e jetesës, sindikatat dhe një pjesë e ekonomistëve propozojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.

    Ekonomisti Branimir Jovanoviq nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare paralajmëron se ekonomia e Maqedonisë së Veriut përballet me rreziqe serioze nga një valë e re inflacioni dhe një rënie e standardeve të jetesës. “Nevojitet të ndihmohen njerëzit të përballojnë krizën ekonomike duke ulur çmimet ose duke rritur të ardhurat. Pra duhet një mbështetje e drejtpërdrejtë për qytetarët përmes rritjes së pagave dhe pensioneve, për shkak se pa masa të tilla, Maqedonia mund të goditet më rëndë se vendet e tjera në rajon. Për më tepër, çmimet e produkteve ushqimore bazë po fillojnë të rriten. Inflacioni po arrin përsëri 5 për qind, dhe qytetarët po përballen me vështirësi në mbulimin e nevojave themelore të jetesës”, thotë Jovanoviq.

    Njëherësh shtoi se duhet të mendohet për kategorinë sociale të qytetarëve që preken më shumë.

    Shporta minimale e sindikatës tregoi se, në mars, një familjeje me katër anëtarë i nevojiteshin 67.818 denarë për shpenzime themelore, dhe me qiranë, shuma rritet në mbi 83 mijë denarë. vetëm në tre muajt e parë të vitit 2026, shporta është më e lartë për 2.326 denarë, dhe vetëm në mars është rritur për 436 denarë krahasuar me muajin paraprak.

    LSM thekson se paga minimale është përshtatur pa pëlqimin e sindikatave dhe në dëm të punëtorëve, me një rritje prej 1.667 denarësh. Sipas të dhënave që ka në dispozicion sindikata, rreth 50 për qind e punëtorëve në vend marrin pagë nën 600 euro. “Lufta jonë për të rritur pagën minimale është e drejtë dhe e nevojshme, sepse gjysma e punonjësve fitojnë një pagë nën këtë shumë”, vuri në dukje kreu i LSM Sllobodan Trendafillov.

    Sindikatat tashmë po theksojnë se rritjet e çmimeve “nuk përputhen me standardin” e qytetarëve, veçanërisht pasi ushqimet bazë po bëhen më të shtrenjta më shpejt se mesatarja. nga LSM shtojnë se kostoja e jetesës po rritet me një ritëm të përshpejtuar, ndryshe nga pagat, domethënë pagat po e humbasin garën.

    LSM, në Ditën e Punës – 1 Maj, do të protestojë për rritjen e pagave dhe të drejtave të punëtorëve, dhe për të kërkuar rritjen e pagës minimale në të paktën 500 euro, për të kërkuar rritjen e të gjitha pagave të tjera me 100 euro, për të kërkuar respektimin e marrëveshjeve kolektive dhe rritjen e pagave të punonjësve në përputhje me përfitimet e tyre. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria premton cilësi, akademikët shohin ndërhyrje

    Lajmi i rradhës

    Ekonomia e RMV në “modalitet mbijetese”: dominojnë mikro-bizneset, mungon zhvillimi real

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë