Eksodi i heshtur: Ballkani zbrazet, ndërsa Europa po rritet

    Ndërsa popullsia e vendeve të Bashkimit Evropian është shtuar me mbi një milion banorë vitin e kaluar, vendet e rajonit po pësojnë tkurrje të fortë të popullsisë. Sipas të dhënave të Eurostat, popullsia e BE-së numëron (1 janar 2025) 450.4 milionë banorë (1.070.702 më shumë se vitin e kaluar), viti i katërt radhazi në të cilin popullsia e BE-së u rrit, pas një rënieje në vitin 2021 të shkaktuar nga efektet e pandemisë, shkruan gazeta Koha.

    “Rritja e vëzhguar e popullsisë mund t’i atribuohet kryesisht lëvizjeve të rritura migratore pas COVID-19. Që nga viti 2012, ndryshimi negativ natyror (më shumë vdekje sesa lindje) në popullsinë e BE-së është tejkaluar në numër nga migrimi pozitiv neto”, thuhet në raport.

    E ndërsa rritja natyrore e popullsisë në BE është pozitive, Ballkani po thellon shifrat negative. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për të gjitha vendet gjatë kësaj periudhe, Maqedonia renditet e treta në Evropë, pas Shqipërisë (-18.2 për qind banorë më pak) dhe Bullgarisë (-12.3 për qind më pak) për reduktimin e madh të popullsisë- minus 11.4 për qind banorë më pak 2011-2024. Kjo rënie në përqindje (e matur me madhësinë relative të popullsisë ) është e treta më e lartë në Evropë, sipas Eurostat. Maqedonia ka një reduktim në përqindje të ngjashëm me Bosnjë-Hercegovinën (-11.2 për qind), më pas vjen Kroacia (-9.7), Letonia (-9.4) dhe Serbia (-9 për qind). Vendi i vetëm i rajonit që ka arritur të ruajë pothuajse të pandryshuara nivelet e popullsisë është Mali i Zi, që ka shënuar një rritje me 0.6 për qind nga 2011-a. Sa i takon Kosovës Eurostat nuk ka të dhëna.  

    “Kur merret në konsideratë një kornizë kohore më e gjerë, popullsia e BE-së u rrit nga 354.5 milionë në vitin 1960 në 450.4 milionë më 1 janar 2025, një rritje prej 95.9 milionë njerëzish. Shkalla e rritjes së popullsisë është ngadalësuar gradualisht në dekadat e fundit: popullsia e BE-së është rritur, mesatarisht, me rreth 0.9 milion njerëz në vit gjatë periudhës 2005-2024, krahasuar me një rritje mesatare prej rreth 3 milionë njerëz në vit gjatë viteve 1960”, thuhet nga Eurostat.

    Popullsia e vendeve të BE-së më 1 janar 2025 varionte nga 83.6 milionë në Gjermani në 0.6 milion në Maltë. Gjermania (19 për qind e popullsisë së BE-së), Franca (15 për qind) dhe Italia (13 për qind) ishin vendet më të populluara në BE, duke përbërë pothuajse gjysmën (47 për qind) të popullsisë totale të BE-së më 1 janar 2025. Midis 1 janarit 2024 dhe 1 janarit 2025, 8 vende të BE-së regjistruan një rënie të popullsisë. Letonia (shkalla bruto e ndryshimit të përgjithshëm të popullsisë prej -9.9 për 1 000 njerëz), Hungaria (-4.7), Polonia dhe Estonia (-3.4) regjistruan rëniet më të larta. Ndër 19 vendet e BE-së që regjistruan normat më të larta të rritjes së popullsisë, Malta (+19.0 për 1 000 banorë) kryesoi, e ndjekur nga Irlanda (+16.3) dhe Luksemburgu +14.7.

    Lajmi Paraprak

    Rritja e pensioneve me te vjetrën

    Lajmi i rradhës

    Si po i nxit ndryshimi i klimës zjarret në Europë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë