Ndryshimet në Kodin Penal me çka u vjetërsuan disa vepra penale nga natyra e abuzimit me detyrën zyrtare dhe fondet publike, dhanë sinjal negativ në BE dhe imazhin negociues të shtetit në këtë fazë.
Ekspert nga rajoni dhe vendi potencuan se ndryshimet në Kodin Penal duhet shfuqizuar nëse vendi dëshiron të tregon gatishmëri për luftë të vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit.
Kristian Duku nga Bukureshti tha se me ndryshimet e fundit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare u lehtësua në vepra të llojit që dënohen vetëm për dëm material, por pa pasoja penale.
“Ju mund të vëreni disa probleme. Ata ndryshuan abuzimin e detyrës zyrtare me dëm material. Krijuan mundësi të shumëfishta për mundësinë e përsëritjes duke i pamundësuar prokurorëve t’i çojnë lëndët në gjykatë”, tha Kristian Duku, Menaxher i përgjithshëm i Qendrës për studime të përgjithshme në Romani.
Gjykatësja Olja Ristova theksoi se gjatë hartimit të Kodit Penal, nuk u mbajt llogari për dëmin në buxhet që do të shkaktohet nga vjetërsimi i veprave penale që kryesisht kishin buruar si akuza nga ish Prokuroria Speciale Publike.
“Mos ndëshkueshmëria e atyre që ishin fajtor për këto vepra, pa mos dashur të shkelë në prezumimin e pafajësisë, por neve nuk do të mund kurrë ta mësojmë nëse ishin fajtor ose jo, pavarësisht se ata mund të mos ishin dënuar, por u krijua bindja e pandëshkueshmerisë”, u shpreh Olja Ristova, Gjykatëse.
Në panel ishte edhe Aleksandra Dejanovska ish anëtare e grupit të punës në përpilimin e Kodit Penal, ndërsa për efektet e ndryshimeve foli edhe Muhamed Halili i cili tha se ndryshimet bënë që të bien poshtë të gjitha veprat e ish PSP-së, ndërsa vetëm Katica Jenva të përfundoi në burg.
Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan në shtator të vitit kaluar. Pas hyrjes në fuqi, shumë vepra penale të ngarkuara mbi ish funksionarët e përbërjes qeveritare të Nikolla Gruevskit arritën vjetërsimin absolut dhe u abroguan. / Alsat/