Hyrja e ASh-së në Qeveri, Grubi: Në radhët e tyre ka ndryshime radikale

    ASH pjesë e Qeverisë? / Artan Grubi tregon se a janë takuar Ahmeti me Taravarin

    Zëvendëskryeministri Artan Grubi në KlanDebat tha se bisedimet për zgjerimin e qeverisë ende nuk kanë arritur në fazën e ndarjes së posteve ministrore. Prandaj, sipas Grubit, nuk ka zëra brenda BDI-së që janë kundër përfshirjes së Aleancës për Shqiptarët në qeveri, përcjell Nistori.

    “Nuk ka pasur takim ndërmjet Ahmetit dhe Taravarit deri sot, përveç takimit të liderëve ku të gjithë ishin në Kuvend. Për të arritur deri te kjo që thoni ju, duhet të jetë procesi shumë i avancuar, por nuk është. Tash po bisedojmë vetëm për krijimin e një fronti të madh proeuropian në Maqedoni të të gjitha forcave politike, të cilat duan ta shohin vendin në përparim e sipër”, deklaroi Artan Grubi.

    Çfarë do të ndajë BDI nga kulaçi vet për ASh-në?

    Grubi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe të qartë për pozitat eventuale që partia e tij, do të mund t’ia japë Aleancës për Shqiptarët, nëse kjo e fundit vendos të bëhet pjesë e shumicës qeveritare. Si pas Grubit, ndarja e pushtetit është problem i vogël.

    “Pse duhet t’i japim diçka. Do i japim të ardhme europiane. ASh-së do i japim një shtet të integruar në BE ashtu siç ia dhamë të integruar në NATO, do i japim shtet ku ka sundim të ligjit, ku ka veting për politikanë, gjykatës e prokurorë, luftë të pakompromistë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, sistem funksional dhe mendoj se këto vlera ASh-ja do i përkrahë”, shtoi Grubi.

    Dikur thoshte “ASh parti proruse”, por çfarë mendon sot Artan Grubi

    Kostoja e fotografisë me “Levicën” u pagua shumë shtrenjtë. Kështu vlerësoi Grubi kur u pyet për qëndrimet e tij në lidhje me Aleancën për Shqiptarët. Sipas Grubit, partia e drejtuar nga Taravari ka bërë mirë që i ka ndërprerë raportet me VMRO-në e Mickoskit.

    “Në radhët e ASh-së ka ndryshime radikale. Në deklaratën e fundit ishte që janë të papranueshme politikat e VMRO-DPMNE-së dhe se nuk e shohin veten me këtë parti. Brenda disa muajsh ka ndryshim radikal dhe ndërprerje të gjithë komunikimit me VMRO-DPMNE-në…Nuk dua të përzihem në punët e brendshme të asaj partie, por e di që nuk kanë perspektivë aty, e di që votuesit shqiptarë nuk do t’i përkrahin në koalicion me VMRO-në”, vlerësoi zëvendëskryeministri.

    Grubi për Alternativën: Nuk braktiset procesi proeuropian për një drejtori apo ministri

    Grubi nuk mendon se për të hyrë një parti tjetër në qeveri duhet të dalë dikush prej brenda. Sipas tij, me rëndësi është krijimi i një fronti të madh politik proevropian që t’u bëjë ballë forcave anti-europiane. Pikërisht kjo, thotë Grubi, ishte edhe arsyeja e kyçjes së Alternativës në qeveri. Grubi nuk mendon se Alternativa do ta braktiste qeverinë dhe me këtë, sipas tij, procesin proeuropian, për ndonjë post më shumë apo më pak.

    “Si mund ta braktisë procesin në gjysmë vetëm për një apo për dy arsye?…Qytetarët e shohin dhe e vlerësojnë se për një ministri apo për një drejtori ne e kemi rrënuar një proces kaq të rëndësishëm si intergimi i vendit në BE”, tha mes tjerash Grubi.

    Pse Artan Grubi është shumë i rëndësishëm për Ali Ahmetin?

    Fjalët se Ahmeti po e ruan Grubin dhe se ky i fundit është shumë i rëndësishëm për të, Zëvendëskryeministri Grubi i cilëson si të dëmshme, por nga ana tjetër shprehet se ai nuk i ka dëgjuar këto fjalë.

    “Unë jam i barabartë me të gjithë që japin kontribut në BDI…Për momentin unë jam vetëm vazhdimësi e asaj që ka nisur nnë këtë pozitë me aminin dhe përkrahjen e plotë të z.Ahmeti, Musa Xhaferi, Abdilaqim Ademi, Hazbi Lika, Sadulla Duraku e gjithë të tjerët që kanë qënë në këtë pozitë, por edhe pozitat ministrore tjera”, theksoi Grubi ndër të tjera.

    Grubi për “Ballistët” dhe “Shvercerat”: Nuk e di se ç’dreq u hyri në mes

    Të panevojshme, të papranueshme dhe të turpshme kanë qënë incidentet mes tifogrupeve shqiptare, sipas Zëvendëskryeministrit Artan Grubi. Ai e përshëndeti veprimin e fundit me pajtimin e tyre dhe tha se këto dy grupe tifozësh nuk janë krijuar për të bërë sherr mes veti.

    “Nuk e di se ç’dreq iu hyri ndërmjet për ta sjellur në këtë derexhe marrëdhënien midis tyre. Jam jo i indinjuar, por i dëshpëruar tërësisht. Ju më keni parë, unë shkoj me djalin tim për ta parë Shkëndijën apo Shkupin dhe nuk shkoj dot në këto rrethana. Nuk shkoj me ato njerëz në stadium, me ato njerëz në tribuna. Nuk e gjej veten aty. Nuk përkas aty…prandaj thash nuk do shkoj më në stadium dhe si unë ka me qindra tjerë që duan të shohin futboll me familjet e tyre”, tha Grubi.

    Lajmi Paraprak

    “Fjalët e Qiririt”

    Lajmi i rradhës

    Kallëzim penal për dy drejtuesit e spitalit të syve “EUROPEAN EYE HOSPITAL”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë