Ekspertët: qeveria të mos manipulojë me qytetarët rreth shifrave të inflacionit

    Qytetarët mos të manipulohen me shifra, bëjnë thirrje ekspertët ekonomik, duke iu referuara deklarimeve të autoriteteve. Banka Popullore konfirmoi se inflacioni mesatar vjetor sivjet do të mbyllet në kuotën 9,5% ndërsa Qeveria deri më tani tha se inflacioni mesatar vjetor për 2023 do të jetë nën 6%, shkruan Alsat.

    Sipas profesorit Abil Baushi, qytetarët po e heqin barrën e çmimeve të larta të kostos së jetesës, që vitin e ardhshëm do të jetë pa masa konkrete nëse vendimet qeveritare nuk kthehen në ligje për ti frenuar keqpërdorimet e bizneseve.

    “Ne mund të themi çfarë të duam, por para këtyre shifrave që janë dëshmi faktike duhet patjetër të qëndrojmë se jemi në një fazë të rëndë ekonomike. Duke e plotësuar këtë edhe më shumë, Banka Federale e SHBA-së dhe Banka Qendrore e BE-së ato nuk u ngutën të deklarohen se e tejkaluan krizën ekonomike dhe i lanë disa masa ekonomike që ti marrin për me vonë. Duke rritur çmimin e kredive dhe interesave të kamatave të Bankës Qendrore, dhe mendoj se për të 7-ën herë do ta bëjë edhe Banka Popullore e vendit tonë. Me këto fakte do ta shihni kush e shtrembëron të vërtetën”, tha Abil Baush, Profesor i Ekonomisë.

    Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore bëjnë thirrje që masat që ndërmerren nga ana e Qeverisë dhe institucioneve përkatëse të bazohen në analiza dhe me parashikim të detajuar të rreziqeve që mund të sjellin të njëjtat.

    Sipas tyre, i tillë ishte rasti i ngrirjes së vazhdueshme të çmimeve të dhjetëra produkteve, e cila në fund po dëshmon që kjo masë nuk ka arritur efektin e parashikuar dhe proklamuar.

    “Në bazë të deklaratës së Guvernatores së Bankës Popullore Anita Bezhoska, Inflacioni ka arritur në 9.5% që dëshmon për faktin se masa e ndërmarrë nuk ka sjellë efektet e pritura, ndërkaq bizneset e sidomos prodhuesit dhe tregtarët janë dëmtuar, ndërsa nga ana tjetër edhe qytetarët vazhdojnë të ngelen të pambrojtur nga inflacioni. Konsiderojmë që këto masa nuk janë adekuate për zvogëlimin e inflacionit andaj duhet të ndërmerren masa alternative dhe në të ardhmen duhet të ndërpritet praktikat e institucioneve për mos konsultimin e odave ekonomike gjatë ndërmarrjes së të njëjtave”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

    Përveç Bankës Popullore, paralajmërim të ngjashëm pati edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore se Maqedonia e Veriut vitin do ta mbyll me inflacion një shifror, por pak nën 10%-ishin.

    Në vitin 2023, sipas Këshillit të Bankës Popullore, pritet që rritja ekonomike të ngadalësohet mesatarisht në kuotën 1.9%, ndërkohë rritja do të përshpejtohej, duke shkuar në 3% në 2024, thuhet në raportin e fundit tremujor të tyre, në kuadër të cilit janë duke përfshirë parashikimet makroekonomike të Bankës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Retorika etnike e partive, në kohën kur RMV po përballet me korrupsionin dhe politizimin e gjyqësorit

    Lajmi i rradhës

    DAP: në tetor 8462 punëtorë kanë mbetur pa paga

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë