Të gjitha punimet ndërtimore në objekt janë kryer në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacion projektues, pa mbikëqyrje profesionale dhe pa miratim nga institucionet kompetente, deklaroi ekspertja Marijana Lazarevska në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Sipas saj, ndërhyrjet nuk mund të trajtohen si zgjerim, shtesë apo adaptim, por përbëjnë rindërtim, për të cilin kërkohet zhvillimi i një procedure të plotë ligjore, gjë që në këtë rast nuk është bërë, përcjell Nistori.
Lazarevska theksoi se shndërrimi i objektit nga depo në objekt hotelerie e ka rritur ndjeshëm ngarkesën mbi strukturën dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë e tij. Në objekt janë vendosur kolona dhe trarë çeliku, shkallë të jashtme dhe një tendë. Në vitin 2012, objekti kishte një galeri çeliku, në të cilën qasja bëhej nëpërmjet shkallëve. Galeria u hoq në vitin 2024, ndërsa pranë murit të pasmë u ndërtua një skenë. Kolonat e brendshme ishin mbuluar me pllaka gipsi, ndërsa tavani ishte punuar me lesh xhami, gips dhe shkumë poliuretani, material që u dogj plotësisht gjatë zjarrit.
Si dokumentin e vetëm që i ngjante një projekti, Lazarevska përmendi dokumentin e përgatitur nga “VENCI” SHPK Koçan, i cili trajtonte ndryshimin e destinimit të objektit në objekt hotelerie – kabare. Megjithatë, sipas saj, dokumenti nuk përmbante fazat e kërkuara ligjore, nuk ishte dorëzuar në komunë dhe asnjë nga masat e parashikuara në të nuk ishte zbatuar. Pavarësisht kësaj, dokumenti ishte përdorur në procedurat e dy institucioneve – Inspektoratit Shtetëror të Tregut në vitin 2012 dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht SPB Shtip, gjatë procedurës për lëshimin e lejes.
E pyetur nga Prokuroria nëse në dokumentacion përmendej përdorimi i shkumës së poliuretanit, Lazarevska u përgjigj se këtë term nuk e kishte hasur askund.
Lazarevska deklaroi se, sipas raportit gjeodezik të 16 marsit 2025, dimensionet e objektit nuk kanë ndryshuar ndër vite dhe sipërfaqja e tij ka qenë vazhdimisht rreth 472 metra katrorë.
“Kjo do të thotë se objekti nuk ka pasur asnjëherë sipërfaqe më të vogël se 300 metra katrorë dhe kjo shifër është jashtëzakonisht e rëndësishme për përcaktimin e kategorisë së objektit hotelier”, tha Lazarevska.
Sipas saj, një objekt me një sipërfaqe të tillë nuk mund të trajtohet si kabare, pasi nuk i plotëson kushtet e përcaktuara për këtë kategori. Për më tepër, mënyra e shfrytëzimit të hapësirës, organizimi i saj, hapësira për mysafirët dhe pajisjet e brendshme tregojnë se objekti, sipas karakteristikave të tij, i përket kategorisë së diskotekës, e jo asaj të kabaresë.
Gjykimin e drejton gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa Prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë një koncerti të grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Kjo konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. /Nistori/






