“Ekziston diskriminim gjinor gjatë punësimit”

    Gratë dhe burrat janë të barabartë, por megjithatë ekziston diskriminim gjinor gjatë punësimit dhe gratë janë më shpesh viktima të mobingut. Këto janë qëndrimet e qytetarëve në hulumtimin e fundit të opinionit publik, të realizuar nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup për emisionin debativ hulumtues Detektor, njofton AIM, përcjell Nistori.

      Sipas hulumtimit, 52,6 për qind besojnë se burrat dhe gratë në vend janë të barabartë, pra kanë të drejta të barabarta për avancim profesional, megjithëse përqindja e qytetarëve që janë të bindur për të kundërtën nuk është e vogël, dhe 32,4 për qind janë të mendimit se burrat dhe gratë nuk janë të barabartë.

      Sipas strukturës gjinore, 59,8 për qind e burrave janë të mendimit se burrat dhe gratë janë të barabartë, përderisa 26,5 për qind mendojnë se nuk janë të barabartë. Në mesin e grave, 45,6 për qind besojnë se janë të barabarta dhe kanë të njëjtat mundësi për avancim, ndërsa 38,1 për qind besojnë se nuk janë. Nga gjithsej të anketuarit, 50,7 për qind besojnë se ka diskriminim gjinor gjatë punësimit, ndërsa 37,2 për qind janë të bindur se nuk ka diskriminim gjinor gjatë punësimit.

      Një qëndrim të tillë e ndajnë 42,7 për qind e meshkujve të anketuar, ndërsa shumica ose 48 për qind e meshkujve janë të mendimit se ende ka diskriminim gjinor gjatë punësimit. Gjithashtu, 53,3 për qind e grave të anketuara e njohin diskriminimin gjinor gjatë punësimit, kundrejt 34,9 për qind që besojnë se kjo nuk ndodh.

      Gjegjësisht, 53,7 për qind e maqedonasve besojnë se ka diskriminim gjinor gjatë punësimit, në krahasim me 33 për qind që mendojnë se kjo nuk ndodh. Te shqiptarët situata është e kundërt. Atje shumica ose 54,1 për qind e shqiptarëve janë të mendimit se nuk ka diskriminim gjinor gjatë punësimit, ndërsa 37 për qind janë të bindur për të kundërtën.

      Shumica e qytetarëve ose 47,4 për qind janë të mendimit se burrat dhe gratë në vend në të njëjtat vende të punës marrin pagë të njëjtë, 25,6 për qind besojnë se burrat paguhen më shumë edhe pse punojnë në të njëjtën punë me gratë, ndërsa 3,1 për qind janë të mendimit se femrat janë ato që paguhen më shumë se meshkujt për të njëjtën punë. Struktura gjinore e përgjigjeve tregon se si burrat ashtu edhe gratë pajtohen që pagat për të njëjtën pozitë janë të njëjta si për burrat ashtu edhe për gratë. Këtë qëndrim e ndajnë 49,8 për qind e të gjithë meshkujve të anketuar dhe 45,2 për qind e femrave. Se burrat paguhen më shumë vlerësojnë 20,2 për qind e meshkujve dhe 30,9 për qind e femrave. 4,4 për qind e burrave janë të mendimit se gratë paguhen më shumë për të njëjtën punë, ndërsa vetëm 1,9 për qind e grave e ndajnë këtë mendim.

      Për 48,9 për qind të burrave dhe grave të anketuara janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në sektorin publik, ndërsa 35,2 për qind mendojnë se nuk janë. Hulumtimi tregon se 56,8 për qind e të gjithë burrave të anketuar dhe 41,1 për qind e grave besojnë se ka përfaqësim të barabartë gjinor në sektorin publik, ndërsa 29,7 për qind e burrave dhe 40,6 për qind e grave besojnë se nuk është kështu, ndërsa 56,2 për qind e të anketuarve besojnë se gratë janë viktima më të shpeshta të mobingut.

      “Vetëm 6,9 për qind e qytetarëve janë të bindur se meshkujt janë më shpesh viktima të mobingut. Si burrat ashtu edhe gratë nuk kanë shumë dyshime për këtë çështje, gjegjësisht 49,1 për qind e burrave të anketuar dhe 63 për qind e grave besojnë se gruaja është ajo që më shpesh është viktimë e mobingut. Vetëm 4,8 për qind e femrave dhe 9,1 për qind e meshkujve zgjodhën meshkujt si viktimat më të shpeshta të mobingut”, qëndron në informacionin e shpërndarë nga “Detektor”.

      Çdo i pesti qytetar e njeh një femër e cila është larguar nga puna për shkak të shtatzënisë, gjegjësisht 19,9 për qind e të anketuarve thonë se njohin raste në të cilat një femër ishte larguar nga puna për shkak të asaj që ishte shtatzënë, përderisa 72 për qind e të anketuarve nuk kanë informacione për një gjë të tillë.

      Sipas anketës, të rinjtë marrin më shumë informacione për raste të tilla, pra në kategorinë e moshës nga 18 deri në 29 vjeç, në të cilën janë shumica e nënave të reja, madje 31,2 për qind e të anketuarve dinë për një rast në të cilin një femër u pushua nga puna për shkak të shtatzënisë, që është pothuajse çdo i treti person i anketuar. Anketa tregon gjithashtu se 52,6 për qind e të anketuarve besojnë se në rast divorci, dhënia e kujdestarisë nënës është në interes të fëmijës, ndërsa 22,4 për qind e të anketuarve nuk pajtohen me këtë. Në shumicë burrat dhe gratë pajtohen me këtë pikëpamje. Konkretisht, 46,5 për qind e burrave dhe 58,5 për qind e grave besojnë se dhënia e kujdestarisë gjatë një divorci, ku më së shpeshti favorizohet nëna, është e drejtë dhe në interes të fëmijës, ndërsa 27,7 për qind e burrave dhe 17,2 për qind e grave nuk pajtohen me këtë.

      Anketën e Detektorit e zbatoi Instituti për Hulumtime Politike në Shkup në periudhën prej 27 deri më 30 mars të këtij viti në mostrën reprezentative prej 1.117 të anketuarve. /Nistori/

      Lajmi Paraprak

      Sheqerin “e shëndetshëm” zëvendësojeni me banane

      Lajmi i rradhës

      ‘Vogue Italia’: Tirana, kryeqyteti me nuanca dhe dimensione europiane

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë