Emigrantët që kalojnë tranzit nëpër RMV dhunohen nga kontrabanduesit

    Kontrabandistët u ngarkojnë emigrantëve shuma të larta për kalimin tranzit nëpër vend, por shpeshherë ata edhe i dhunojnë fizikisht. Situata është më tragjike për ata emigrantë që kanë pësuar aksidente trafiku teksa kontrabandistët po iknin nga policia, duke humbur gjymtyrët trupore. Një numër i vogël migrantësh kërkuan azil në vend, por shumica e tyre e bënë këtë pikërisht për shkak të lëndimeve të rënda që morën në vend.

    Një numër i madh i emigrantëve apo refugjatëve që kalojnë tranzit nëpër Maqedoninë e Veriut janë viktima të dhunës nga kontrabandistët, por edhe të presionit psikologjik dhe financiar, paralajmëron Kryqi i Kuq.

    Sipas organizatës, kontrabandistët i ngarkojnë emigrantët nga 800 deri në 1000 euro për t’i transportuar nga kufiri jugor në atë verior, por shpesh ata i dhunojnë fizikisht. Të shumta janë rastet e rrahjes së emigrantëve, por edhe të atyre që përfundojnë me lëndime të rënda në aksidente trafiku.

    “Ne hasim shumë dhunë në terren. Ne hasim njerëz që janë rrahur dhe që kanë pësuar lëndime të rënda, kanë humbur krahët ose këmbët, përshembull në aksidente. Këta njerëz vuajnë shumë. Përveçse financiarisht, ata janë nën presion të madh psikologjik nga kontrabandistët. Ne ndihmojmë me aq sa mundemi, por është shumë e trishtueshme të shohësh”, thotë Suzana Tuneva-Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq.

    Ndër viktimat e fundit të kontrabandës ishte një vajzë e re e cila humbi jetën në vend në muajin prill, në një incident në afërsi të kazermës së Gjevgjelisë. Një polic maqedonas qëlloi emigranten, ndërsa polici kontrollonte dy automjete të pasagjerëve me tetë emigrantë të cilët filluan të ikin. 

    “Kontrabandistët kanë sulmuar njërin nga policët dhe kanë tentuar t’ia marrin armën, pas së cilës arma ka qëlluar dhe ka goditur vajzën”, ka thënë MPB. Kontrabandistët janë në paraburgim, ndërsa Prokuroria po heton rastin.

    Nga fillimi i këtij viti deri në fund të marsit janë parandaluar gjithsej 1849 tentativa për emigrim ilegal, që është rreth 300 tentativa më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

    Megjithatë, aktualisht 10 deri në 30 emigrantë ose refugjatë lufte hyjnë në vend në ditë, kryesisht nga Greqia, sipas Kryqit të Kuq. Nga atje thonë se në muajin prill ka pasur rritje të numrit të emigrantëve që kanë hyrë në vend.

    E ashtuquajtura Rrugë Ballkanike lëviz kryesisht nga Turqia dhe Greqia, përmes Maqedonisë dhe Serbisë drejt vendeve evropiane që janë destinacioni përfundimtar i emigrantëve. Ata po ikin nga armiqësitë në vendet e tyre, paqëndrueshmëria ekonomike dhe, gjithnjë e më shumë, ndryshimet klimatike që sjellin urinë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët në RMV të pakënaqur me mundësitë ekonomike

    Lajmi i rradhës

    Zbulohen lokalitete në Dibër ku hidhen gomat e automjeteve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë