Në prag të festave të fundvitit, Dibra po përjeton një gjallërim të dukshëm falë ardhjes masive të mërgimtarëve nga vendet e Evropës Perëndimore, kryesisht nga Italia, Zvicra dhe Gjermania, por edhe nga shtete të tjera të Bashkimit Evropian. Sipas shoqatave të mërgimtarëve dibranë në Itali, pritet që gjatë kësaj periudhe në Dibër të vijnë mbi 5 mijë mërgimtarë. Rrugët e qytetit janë tashmë më të frekuentuara, lokalet më të mbushura, ndërsa në stacionin e autobusëve vërehet një fluks i madh udhëtarësh. Familjarët presin me emocione kthimin e të afërmve të tyre nga mërgimi. Astrit F. nga Dibra thotë se ka pritur vajzën, dhëndrin dhe dy nipërit e tij që jetojnë në Itali.
“Është gëzim i madh t’i shoh pas një viti të plotë. Festat e fundvitit do t’i kalojmë bashkë në shtëpi”, thotë ai. Në stacionin e autobusëve takojmë edhe Arben M., i cili bashkë me vëllain e tij punon në Rimini të Italisë. “Kemi ardhur për pushime dhe do të qëndrojmë deri më 9 janar. Pastaj duhet të kthehemi sërish në punë”, thotë ai për gazetën Koha.
Megjithatë, krahas gjallërimit të qytetit nga mërgimtarët, në Dibër vërehet edhe një prani e shtuar e lypësve, kryesisht jo nga Dibra, por nga qytete të tjera si Velesi, Prilepi dhe Shkupi. Kjo pamje, sipas banorëve, zbeh atmosferën festive të qytetit.
“Kemi pasur gjithmonë disa lypës vendas, por gjatë festave vijnë grupe të organizuara nga qytete të tjera. Ata qëndrojnë këtu gjatë ditës dhe në mbrëmje kthehen në shtëpi që i marrin me qira”, thotë Asan R., një banor i moshuar i Dibrës. Njëra nga lypëset, Bedria, e cila thotë se vjen nga Velesi, pranon se Dibra është destinacion i shpeshtë për ta gjatë verës dhe festave të fundvitit.
“Mërgimtarët janë zemërgjerë dhe japin lëmoshë”, thotë ajo, duke pranuar se shpesh përdoren edhe fëmijët për të rritur suksesin e lypjes.
Gjatë vitit kanë pasur aksione policore për kthimin e lypësve në vendet e tyre të origjinës dhe besohet se kontrolle të tilla do të intensifikohen edhe gjatë ditëve festive.
Ardhja e mërgimtarëve gëzon jo vetëm familjarët, por edhe bizneset lokale. Restorantet, kafenetë dhe dyqanet presin rritje të qarkullimit, ndërsa qyteti merr një “infuzion” të përkohshëm ekonomik. Megjithatë, këmbimoret raportojnë një rënie të ndjeshme të këmbimit të valutave krahasuar me vitet e kaluara. Një pronar këmbimoreje në qendër të qytetit thotë se shkëmbimi i devizave është ulur rreth 50 për qind krahasuar me fundvitin e kaluar. Ashim V., mërgimtar që jeton në Milano, thotë se arsyeja kryesore është rritja e çmimeve në Dibër. “Çmimet këtu janë pothuajse si në Itali. Edhe atje pagat nuk janë aq të larta – mesatarisht rreth 1.700 euro – prandaj jemi të detyruar të shtrëngojmë xhepin”, shprehet ai.
Pavarësisht kësaj, Dibra në këto ditë festive mbetet e gjallë dhe e mbushur me njerëz, emocione dhe kontraste – mes gëzimit të kthimit në vendlindje dhe sfidave sociale që shfaqen paralelisht me këtë gjallëri sezonale.






