“Error” për gjuhën shqipe (Foto)

    Mosrespektimi i gjuhës shqipe vazhdon të jetë pjesë e institucioneve më të rëndësishme në vend, duke i shkaktuar andralla në vite personave fizikë e subjekteve juridikë që marrin shërbimet në to, e për të cilët gjuha e komunikimit i vështirëson aksesin dhe shfrytëzimin e informacioneve, aplikimet.., e të tjera. Drejtoria e të Hyrave Publike, Enti Shtetëror për Statistika, Banka Popullore, Regjistri Qendror… vazhdojnë të informojnë, promovojnë saktë dhe në mënyrë të plotë në faqet e tyre zyrtare vetëm gjuhën maqedonase, ndërsa me shqipe të cunguar, pavarësisht kërkesave publike për të dhe vendosur në përdorim gjuhën shqipe që do të lehtësonte zinxhirin e komunikimeve dhe të aktiviteteve edhe për një sërë institucionesh dhe veprimtari që lidhen me to.

    Nëse DHP e ka vendosur vetëm logon SQ (shqip), por pa asgjë në shqip, Enti Shtetëror i Statistikave nuk është i rekomandueshëm për të çelur versionin skandaloz gjysma-shqip, ku më shumë has në “Error”, ndërsa ka edhe klikime të linqeve në shqip që të drejtojnë në udhëzime vetëm në maqedonisht.

    Banka Popullore, që e ka ikonën “SQ” dhe posedon me më shumë material, nuk e kryen të plotë azhurnimin e informacioneve. Në shumë linqe të kësaj faqe do të gjesh fjalinë “përmbajtje të disponueshme në maqedonisht”. Drejtoria e të Hyrave Publike nga ana tjetër duket se as që e ka ndërmend të fillojë me zbatimin e gjuhës shqipe. Ky institucion vazhdon të mos i përmbush as angazhimet e marra kohë më parë se do të vinin në funksionim edhe versionin e gjuhës shqipe. Për gati katër vite me radhë, në faqen e DHP-së vazhdon të jetë ikona “SQ”, por që sot e kësaj dite del fjalia “Faqja në përpunim”. Drejtorë të shumtë të DHP-së kanë thënë se po punohet në azhurnimit e zgjidhjes aplikative softuerike që do të mundësonte aksesin e qytetarëve dhe subjektet afariste edhe në gjuhën shqipe, por që asgjë nuk ka edhe sot e kësaj dite.

    Edhe Regjistri Qendror është skandaloz sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe. Ky institucion mesa duket është në fazën e parë të punës për aplikimin e gjuhës shqipe në faqen e tyre. Kjo duket edhe në uebsajtin e tyre, ku nëse shtyp ikonën “SQ”, më shumë do të lexosh “Error” apo gjen disa tituj në një shqipe gati të pakuptueshme, si “Ndalim i përhershme për kryerje të veprimtarive të ndara”, “Vërtetim i integruar nga pangu, lizingu, fiducioni dhe shitja”…, ose nëse hap materiale – ato janë të kombinuara në dy gjuhë: shqip-maqedonisht, si për shembull – “Institucioni përgjegjës: Централен Регистар на Република Северна Македонија al”, apo edhe “Institucionet e tjera: Агенцијата за катастар на недвижности Државен завод за статистика (ДЗС)…”. Që do të thotë se marrja e shërbimeve online nuk është një formë e rekomandueshme për aplikantin, i cili duhet t’i drejtohet versionit në maqedonisht për shkak të mungesës së rëndë të seriozitetit për të shërbyer në gjuhën shqipen me procese delikate, si janë regjistrimet, plotësimi i certifikatave, e të tjera.

    Ajo që është më e rëndësishme, në asnjërin nga këto institucione lutjet apo kërkesat e ndryshme nuk pranohen në gjuhën shqipe.

    Një situatë e ngjashme ishte deri pak kohë më parë edhe në Bankën Popullore të Maqedonisë, institucion ky i rëndësishëm që po ashtu për vite me radhë neglizhonte përdorimin e gjuhës shqipe në shërbimet e veta në uebsajtin zyrtar. Ky institucion ka nisur me zbatimin e shqipes dhe azhurnimin e informacioneve, por jo ne formë të plotë. Nëse do të kërkosh për të marrë informacione si vendime, statistika, apo materiale të tjera, do të hasësh në barrierën “Faqja është në përpunim. Përmbajtja është e disponueshme në gjuhën maqedonase”, apo edhe në infomacione të cunguara. Nga ana tjetër, Banka Popullore e Maqedonisë nuk ka treguar gatishmërinë të iniciojë që një praktikë të tillë komunikimi ta ndjekin edhe bankat e tjera private që operojnë në vend. Bankat tjera komerciale, që vetëm fushatat i bëjnë edhe në shqip, por që asnjë pagesë apo shërbim tjetër nuk e gjen pos në maqedonisht, arsyetohen se, deri tani, nuk kanë një rekomandim të përdorimit të shqipes nga Banka Popullore. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kush ua mundëson kriminelëve në RMV t’i shpëtojnë drejtësisë?

    Lajmi i rradhës

    Të shkosh në punë i rrezikuar!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë