EShR publikon raportin, zbulon parregullsi serioze në MASh – mbi 18 milionë euro kredi studentore

    Revizioni ka identifikuar dobësi në menaxhimin e investimeve kapitale, objekte të papërfunduara dhe pranime teknike të parregullta, përdorim të papërshtatshëm të fondeve për tekstet shkollore të arsimit fillor, si dhe kërkesa të papaguara për kredi studentore që janë më shumë se një dekadë të vjetra. Gjetjet janë nga revizioni në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në vitin 2023, në kohën e ministrit Jeton Shaqiri.
    Revizioni ka konstatuar se edhe pas një dekade, MASH nuk ka ndërmarrë masa për shlyerjen e kredive studentore të periudhës 1998-2010 në vlerë prej 18 milion eurosh. Sa i takon ndërtimit dhe riparimit të shkollave fillore dhe të mesme në vitin 2023, është konstatuar se ata janë bërë pa u definuar qëllimi, prioritetet dhe treguesit e suksesit. Nuk është definuar mënyra e ndarjes së mjeteve të buxhetit dhe as kriteret mbi të cilat janë zgjedhur projektet për ndërtim dhe riparim të objekteve shkollore.

    Dobësi të ngjashme janë konstatuar edhe në realizimin e projekteve kapitale.

    “Konvikti studentor në Tetovë i ndërtuar me mjete të buxhetit në vlerë prej 3 450 000 eurosh është lëshuar në përdorim pa kontroll teknik të ndërtimit dhe pa miratim për përdorimin e tij. Poashtu, pajisja për kuzhinë në konvikt për shkak të mospasjes së ventilimit nuk është vendosur në përdorim, që nënkupton se edhe përskaj mjeteve të investuara, një pjesë e objektit nuk mund të përdoret në mënyrë funksionale për qëllimin që është parashikuar”, thuhet në raportin e Entit të Revizionit.

    Revizorët shtetëror konstatojnë se gjendja e përshkruar nuk është në përputhje me Ligjin për Standardin Studentor, sipas të cilit konviktet, përveç akomodimit, studentëve u sigurojnë edhe ushqim. Gjithashtu revizorët theksojnë se në shkurt të vitit 2025, është nënshkruar marrëveshje për blerjen e ushqimeve të gatshme për studentët midis Konviktit dhe operatorit ekonomik të zgjedhur përmes procedurës së prokurimit publik, ndërsa kuzhina akoma nuk është vënë në funksion.

    Për studimet e studentëve në 100 universitetet më të mira jashtë vendit në vitin 2023 janë paguar 2 milion e 920 euro por nuk ekziston sistem për angazhimin e tyre pas përfundimit të studimeve, gjë që nuk siguron përdorim efikas të mjeteve të harxhuara.

    Materiale shkencore për të cilat janë harxhuar miliona euro, janë dëmtuar për shkak se nuk janë menaxhuar dhe nuk janë ruajtur në mënyrën e duhur.

    “Në korniza të projektet për përkthimin e 500 librave shkencor të huaj për të cilët nga 2012 deri 2021 janë harxhuar mbi 13 milion euro, është konstatuar se librat nuk janë shpërndarë në organet shtetërore, nuk ka evidencë për pranimin e tyre në depo dhe as Nuk është bërë regjistrim i rregullt. Kushtet për ruajtjen e tyre janë të papërshtatshme, gjë që ka sjell dëmtimin e tyre për shkak të lagështisë dhe temperaturave”, thuhet në raport.

    Librat në maqedonisht të periudhës 2022-2025 pasi janë redaktuar një herë dhe janë dërguar për përkthim, janë redaktuar përsëri. Çmimi për redaktimin e dytë është më i lartë se ai për përkthim, lektorim dhe redaktimin e parë, ka vlerësuar revizioni.

    Në raport konstatohet se punët e filluara ndërtimore për Fakultetin e edukatës fizike, sportit dhe shëndetit si dhe Fakultetit të shkencave informatike dhe inxhinierisë kompjuterike në Universitetin Kiril dhe Metodi për të cilin nga 2016 deri 2019 janë harxhuar 2 milion e 920 mijë euro akoma e kanë të paqartë përfundimin. Sipas analizës do të duhen edhe 21 milion e 950 mijë euro për t’u përfunduar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rritet shkalla e vendeve të lira të punës në tremujorin e dytë të 2025-së, ja cili sektor kryeson

    Lajmi i rradhës

    Kur urrejtja bëhet politikë: shqiptarët si “овчари и слаткари” në komunikatat e VMRO-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë