Kur urrejtja bëhet politikë: shqiptarët si “овчари и слаткари” në komunikatat e VMRO-së

    Zufer Bajrami

    Zufer Bajrami
    Shkenca politike – Marrëdhënie ndërkombëtare

    Është e papranueshme që një parti politike e madhe, pjesë e qeverisjes, të përdorë gjuhë fyese dhe raciste në komunikatat e saj zyrtare. VMRO-ja duhet të kërkojë falje dhe të distancohet pa ekuivoke nga ky fjalor.

    Në reagimin e fundit ndaj deklaratave të Ali Ahmetit, i cili theksoi se në vitin 2001 kishte mundësi ta ndante Maqedoninë por zgjodhi të angazhohej për unitaritetin e vendit, VMRO mes tjerash thotë:

    “Сега после 23 години власт му текна да зборува за 2001 година, конфликт чии бенефити и материјализирање најдобро го осетија 50тина луѓе од врвот на ДУИ, кои од овчари, земјоделци, механичари и слаткари (со сета почит кон чесните носители на овие професии), станаа шеици и тајкуни.”

    Në shqip:

    “Tani, pas 23 vitesh në pushtet, iu kujtua (Ali Ahmetit) të flasë për vitin 2001, një konflikt nga i cili përfituan dhe u pasuruan më së miri rreth 50 persona në krye të BDI-së, të cilët nga barinj, fermerë, mekanikë dhe ëmbëltorë (me gjithë respektin për ata që ushtrojnë këto profesione me ndershmëri), u bënë sheikë dhe tajkunë.”

    Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët në Maqedoni stigmatizohen si “овчари и слаткари”. Interneti është i mbushur me këtë lloj fjalori fyes dhe racist, me të cilin shqiptarët ballafaqohen çdo ditë. Por kur ky fjalor depërton në gjuhën zyrtare të partive politike, situata bëhet shumë më alarmante, sepse shndërrohet nga një urrejtje individuale në një diskurs qeveritar.

    Ajo që e bën edhe më problematike këtë komunikatë është mënyra se si VMRO, me një “fiskullturë fjalësh”, duke bërë bashkë disa terma me ngarkesa beninje e malinje (овчари, земјоделци, механичари и слаткари (со сета почит кон чесните носители на овие професии)), përpiqet të mjegullojë ngarkesën që këto etiketime bartin për shqiptarët. Kjo përpjekje jo vetëm që nuk na vendos në konfuzion, por përkundrazi, shfaq hapur kalkulimin dhe sofistikimin e urrejtjes raciste të kësaj partie ndaj shqiptarëve.

    Nuk besoj se ky perceptim dhe lexim është ekskluzivisht i imi. Jam i sigurt se shumë qytetarë, shqiptarë e maqedonas, e lexojnë këtë gjuhë ashtu siç është. Madje, edhe portale maqedonase e kanë interpretuar në të njëjtën mënyrë. Një prej tyre e titulloi lajmin: “Од овчари и слаткари станаа шеици и тајкуни…”

    Dua të jem i sinqertë: ky tekst nuk është as përkrahje, as solidarizim me BDI-në. Fatkeqësisht, gjithçka thuhet në atë reagim është e aplikueshme për të gjitha partitë politike në Maqedoni, përfshirë edhe VMRO-në. Të gjitha partitë politike në Maqedoni, përfshirë BDI-në dhe VMRO-në, janë pjesë e të njëjtës kulture keqpërdorimi dhe korrupsioni. Por racizmi nuk mund të justifikohet dhe nuk bëhet më pak racist vetëm pse sot drejtohet kah një subjekti politik që dikujt nuk i pëlqen.

    Përgjegjësia për të reaguar ndaj këtij fjalori nuk i takon vetëm opinionit publik. Si partner qeveritar i VMRO-së, edhe VLEN ka detyrimin moral dhe politik të kërkojë llogari. Nëse jo për arsye parimore në solidarizim me shqiptarët e përbuzur, të paktën si akt solidariteti ndaj deri dje bashkëpartiakëve të tyre në BDI.

    Çështja nuk është vetëm për ofendimin ndaj një partie apo individi të caktuar. Problemi është te normalizimi i gjuhës me ngarkesa raciste që forcojnë paragjykimet dhe urrejtjen me të cilën shqiptarët përballen çdo ditë. Heshtja ndaj kësaj gjuhe nuk është amnisti, por bashkëfajësi.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit. 

    Lajmi Paraprak

    EShR publikon raportin, zbulon parregullsi serioze në MASh – mbi 18 milionë euro kredi studentore

    Lajmi i rradhës

    ShGM & SPGM kërkon përgjegjësi për përgjimin e paligjshëm të gazetarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë