Ende nuk është e mundur të thuhet konkretisht nëse konflikti ushtarak midis Izraelit dhe Iranit do të shkaktojë rritje çmimesh në vend, beson kryetarja e Qendrës për Ndërmarrje Mikro, të Vogla dhe të Mesme në Odën Ekonomike, Gabriela Kulebanova. Ajo tha se konflikti është në fillimet e tij dhe nuk është e mundur të parashikohet nëse do të pasojë një “tronditje” çmimesh, transmeton Portalb.mk.
“Kemi kriza të njëpasnjëshme. Luftërat janë duke vazhduar, por për momentin nuk mund të themi konkretisht për një tronditje çmimesh, do të presim sepse ky është vetëm fillimi. Ne jemi një ekonomi e vogël, të gjitha tronditjet dhe ngjarjet globale, botërore reflektohen tek ne”, tha Kulebanova.
Më herët të premten, presidenti i Komisionit Rregullator të Energjisë (KRRE), Marko Bislimoski, tha se beson se lufta midis Izraelit dhe Iranit do të ndikojë në çmimin e naftës në Maqedoni, por se nuk pret ndikim në çmimet e produkteve të tjera.
Izraeli javën e kaluar kreu një seri sulmesh ndaj Iranit, duke synuar objektet bërthamore dhe ushtarake, pas të cilave Irani u kundërpërgjigj.