Punonjësit në çerdhe janë kërcënuar me largime nga puna nëse hyjnë në grevë

    Sindikata e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se kanë nisur presione të ashpra ndaj punonjësve në çerdhe të cilët më 11 prill do të dalin në grevë.

    Kreu i SASHK-ut Jakim Nedellkov tha se punonjësit e çerdheve kanë presione nga drejtuesit e institucioneve ku punojnë të cilët kërkojnë listat e grevistëve.

    Sipas Nedellkov, punonjësit po i frikësojnë me punëtorë zëvendësues, largime nga puna dhe gjoba madje duke u prezentuar një shkresë gjoja të dërguar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale pa nënshkrim dhe vulë.

    Nedellkov kërkon nga punonjësit e çerdheve të denoncojnë çdo presion ose kërcënim.

    “Ju inkurajoj që të mos i dorëzoheni presioneve dhe kërcënimeve dhe ju bëj thirrje që të raportoni situata të tilla. Përfaqësuesi ligjor i SASHK-ut do të veprojë sipas ankesave tuaja dhe kundër atyre që tentojnë të pengojnë grevën do të ngrihet kallëzim penal. Në Kodin Penal parashikohet edhe dënimi me burg për një vepër të tillë”, tha Jakim Nedelkov, kryetar i SASHK-ut.

    Nga Komuna e Çairit thanë për Alsat se akoma nuk kanë numër të saktë të punonjësve në çerdhe të cilët do ti bashkëngjiten grevës. Por shtojnë se në këtë rast duhet respektuar dy ligje të ndryshme. Ligji për marrëdhënie pune që lejon përfshirjen e punonjësve në grevë dhe Ligji për mbrojtje të fëmijëve që parasheh kujdes ndaj fëmijëve. Mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm nuk i kanë frikë nga kërcënimet e mundshme. Mësuesi, Mamer Shabani tha se në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Çair do të nisin grevën të gjithë punonjësit pavarësisht se janë ose jo anëtarë të SASHK-ut.

    “Më 11 prill do të mblidhemi të gjithë të salla e arsimtarëve, nuk do të jemi në procesin mësimor. Ato që nuk do të jenë anëtarë të grevës, pjesëmarrës të grevës kanë të drejtë edhe të mbajnë mësim mirëpo të gjithë janë pajtuar që nuk do të ketë punë. Nxënësit mund të vijnë në shkollë mirëpo ne nuk do të hyjmë në klasë që të mbajmë mësim. Vitet e fundit puna e arsimtarit aspak nuk vlerësohet dhe prandaj jemi të detyruar që të kërkojmë rritjen e rrogës.

    Ne jemi në rrugën që greva të mbahet ashtu si duhet dhe nuk frikësohemi”, u shpreh Mamer Shabani, mësues.

    Sindikata e Arsimit dhe Shkencës tashmë kërkon rritje të pagave në arsim dhe kopshte për 18,4 %. Deri më sot janë realizuar disa takime mes SASHK-ut dhe Qeverisë por pa asnjë rezultat përfundimtar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Tetovës me punësime të reja, publikon listën e kontratave në vepër (Dokument)

    Lajmi i rradhës

    “Shkup 2014”, procedurë hetimore kundër katër personave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë