Eskobar: Nuk po kërkojmë nga opozita ta mbështesë kryeministrin, por të mbështesë rrugën euroatlantike të RMV

    Ne jemi të përkushtuar t’i shfrytëzojmë të gjitha veglat tona, përfshirë edhe sanksionet, për luftë kundër korrupsionit, kudo që ta zbulojmë, kështu ka deklaruar zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për gjendjen me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se sekretari Blinken dhe kryeministri Kovaçevski, kanë biseduar gjatë në takimin e tyre, për mënyrën se si mund të punojnë së bashku për uljen e korrupsionit në rajon, përcjell Nistori.

      “Kemi interes të fuqishëm që të kujdesemi që Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit të bëjnë pjesën e tyre për uljen e korrupsionit dhe zbatimin e sundimit të së drejtës. Gjithçka që mund të them është se, kemi partneritet të mirë me Maqedoninë e Veriut. Ata bëjnë reforma për korrupsionin dhe ne duhet të vazhdojmë të thellojmë atë bashkëpunim” – tha Gabriel Escobar.

      Duke folur për procesin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat kundërshtohen nga opozita maqedonase, Escobar tha se bisedojnë me opozitën në lidhje me këtë temë, por nuk ka dashur të komentojë përmbajtjen e bisedimeve diplomatike. Ai tha se, dëshiron të dëgjojë nga opozita përkushtim në rrugën e integrimeve euroatlantike, ndërsa kjo sipas tij, përfshin shqyrtimin e mënyrave për çuar Maqedoninë në Konferencën e ardhshme ndërqeveritare.

      “Shqetësimi ynë më i madh është se do të humbasim kohë. Dhe e dini, ne nuk kërkojmë nga opozita që të mbështesë kryeministrin. Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është marrëveshja më e mirë që e kemi arritur. Ajo është e arsyeshme, mendoj deri tani dhe duhet të vazhdojmë përpara sa më shpejtë të jetë e mundur. Për këtë, shpresoj se të gjitha palët e spektrit politik t’i mbështesin ndryshimet e nevojshme që të mund të vazhdojmë përpara në përparimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut” – deklaroi Escobar.

      Kryeministri, Dimitar Kovaçevski ditë më parë realizoi vizitë pune në ShBA, në kuadër të së cilës, zhvilloi edhe një takim me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken. Pas takimit, nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, Kovaçevski tha se pret përfshirje edhe më të fuqishme të SHBA-së hapat e ardhshëm të vendit për procesin eurointegrues. /Nistori/

      Lajmi Paraprak

      Ksamili, i preferuari i britanikëve | Destinacioni i tretë në listën e 20 më të kërkuarave

      Lajmi i rradhës

      Prokuroria në Mal të Zi heton mënyrën e jetesës së funksionarëve

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë