Fakulteti i Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë kompjuterike 13 vite pa objekt

    Tashmë 13 vjet, studentët e Fakultetit të Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë kompjuterike akoma nuk kanë objektin e tyre. Studentët ankohen se në çdo ligjëratë, rreth 5 mijë studentë të këtij fakulteti përballen me pengesa të shumta për shkak të mungesës së kushteve, posaçërisht mungesës së laboratorëve me kompjuterë. Të sapodiplomuarit në këtë fakultet thanë se vitet e studimeve, përveç kushteve jo të përshtatshme për mësim do t’i mbajnë mend edhe për mësimin “online”.

    “U përpoqëm në ato hapësira që kishim ose “online” të punojmë. Megjithatë ishte vështirë të mësojmë dhe të ndihmohemi kolegët mes vete. Është i patjetërsueshëm objekti. Nuk ka hapësira për ligjërata, shumë studentë jemi, ky është problemi”, tha një studente.

    “Në fakultetin tonë ka kryesisht studentë të mirë të cilët pavarësisht kushteve gjenden dhe arrijnë të mësojnë. Megjithatë, vlerësoj se duhet të jetë në nivelin më të lartë. Unë nuk them se nuk mund të zhvillohet mësimi mirëpo do të ishte shumë më e lehtë, procesi mësimor do të zhvillohej në mënyrë më cilësore dhe ligjëratat mund të zhvillohen në mënyra të ndryshme dhe me gjitha këto të arrijmë një arsim më cilësor”, u shpreh një student.

    Dekani i FINK-it, Boro Jakimovski përsëriti se objektet e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit janë hapësirat më të përshtatshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mirëpo, ditë më parë ky institucion në një reagim ka kundërshtuar një gjë të tillë.

    “Në rrethin e kampusit tekniko teknologjik nuk ka hapësira të lira shtetërore. Përpjekjet tona vazhdojnë të jenë për ndryshimin e lokacionit të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe lirimin e hapësirave të këtij institucioni për universitetin. Qëndrojmë pas kësaj kërkese sepse fatkeqësisht nuk kemi zgjidhje tjetër afatshkurtër”, theksoi Boro Jakimovski, dekan i FINK-it.

    Dekani Jakimovski për të martën paralajmëroi sërish protesta para Qeverisë, respektivisht maratonë e studentëve nga FINK-i drejt Qeverisë. Edhe dhjetë ditë më parë studentët e Fakultetit të Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë kompjuterike protestuan dhe improvizuan ligjërata para Qeverisë në shenjë revolte për mungesës së objektit të tyre studimor.

    Përpjekja për të pasur objekt të veçantë për FINK-in ka nisur bashkë me projektin “Shkupi 2014” kur dhe filloi ndërtimi i objektit në oborrin e Universitetit Shën Kirili dhe Metodi, por ndërtimi ndër vite u la në harresë dhe u shndërrua në deponi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    ‘Shindleri i Britanisë’, burri që shpëtoi 669 fëmijë nga nazistët

    Lajmi i rradhës

    Pensionistët në RMV ende të pakënaqur, pavarësisht se pensionet janë rritur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë