Faturat për janarin, dyfish më të larta

    Faturat e energjisë elektrike për muajin janar erdhën shumë më të larta, përkundër krekosjes së autoriteteve se kanë bërë ulje të çmimeve të ndara në blloqe. Nga Komisioni rregullator i energjetikës thonë se kanë marrë dhjetëra ankesa nga konsumatorët për ti kontestuar kostot e këtyre faturave. Ato fatura do të korrigjohen, por jo të gjithë 600 mijë konsumatorët do të arrijnë të bëjnë ankesa në KRRE. Kryetari Marko Bislimovski tha se EVN nuk ka kuadër të mjaftueshëm, por kanë kërkuar rishikim të tyre.

    “Nuk ekziston asnjë trup rregullator në botë që do të mund të lexoj orëmatësit, atë e bën operatori i sistemit shpërndarës dhe ata qytetarë që kanë problem me faturat reagojnë te KRRE, kurse për ata që nuk kanë arritur të reagojnë dërguam njoftim me shkrim tek EVN si të veprojnë në ato raste”, tha Marko Bislimovski, Kryetar i KRRE-së.

    Nga 1 janari ka çmim tjetër për energjinë elektrike dhe në bllokun e parë është më i lirë me 4% kurse në të dytin me 3%. Në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga ajo e drejtë me çmim më të ulët në bllokun e parë dhe të dytë, llogaritë ndahen. Nëse periudha e leximit ishte nga 1 janari deri më 10 janar – blloku i parë është 70 kilovat orë, blloku i dytë është nga 70 deri në 210, ndërsa blloku i tretë është nga 210 deri në 350 kilovat orë – sqaroi Bislimovski.

    Pas qëndrimit të tij, reagojnë nga EVN-Maqedoni, duke kumtuar se ata kanë numër të mjaftueshëm të lexuesve dhe në tërësi e respekton numrin e përcaktuar ligjor të leximit, respektivisht katër herë në vit.

    “Ndodh që orëmatësi të mos lexohet për arsye të ndryshme: konsumatori nuk është prezent, për shkak të pengimit të ekipeve të leximit të orëmatësve nga konsumatorët, kushtet e rënda të motit, pushime mjekësore të lexuesve. Në qoftë se orëmatësi nuk është lexuar, në ç’ rast faturohet vlerë e supozuar si mesatare e konsumit gjatë 12 muajve të fundit, konsumatori mund të paraqesë gjendjen e konsumit përmes ueb-faqes evnonline.mk, përmes e-mailit, telefonit dhe në zyrat e pranimit të Qendrave dhe kështu shërbimet tona të punës do t’i kryejnë korrigjimet përkatëse”, reaguan nga EVN Maqedoni.

    Nga ana tjetër autoritetet thonë se gjatë muajit janar amvisëritë kanë kursyer 14% energji elektrike krahasuar me janarit e vitit të kaluar. Nga muaji korrik gjatë rishikimit të çmimeve nuk përjashtohet mundësinë e rikthimit të tarifës së lirë ditore, por me të edhe rritja e TVSH për rrymën nga 10% në 15%.

    “Si kosto nuk e kemi por si sasi e dimë që sa ka tërhequr EMV rrymë. Janë rreth 820 mw /h, përveç asaj  me vendim të qeverisë në kohë të krizës energjetike EMV ka obligim shërbimet sistematike dhe humbjet të MEPSO-s dhe EVN-së ti mbuloj dhe aty ka shumë sepse mbi 1,000 mw/h janë dhënë në mënyrë plotësuese për ato shërbime që do të thotë se EMV ka dhënë më shumë se sa ka tërhequr”, theksoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

    Megjithëse në pikun e sezonit dimëror gjitha kapacitet vendore prodhuese sipas EMV-së kanë arritur ti mbushin nevojat e amvisërive dhe të konsumatorëve në tregun e rregulluar, amullia e krijuar me faturat e janarit ka shkaktuar revoltë tek kategoritë më të prekura të qytetarëve, të cilët kanë kursyer në rrymë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mantel bardhët në protesta – shkak vonesat e pagave

    Lajmi i rradhës

    DEBAT I ULËT NË KUVENDIN E RMV DHE FJALIME PA ARGUMENTE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë