Sot në Tetovë, Frontit Europian, miratoi Deklaratën Politike mbi legjitimitetin etnik që buron nga zgjedhjet e 8 majit. Të gjithë përfaqësuesit e partive politike në kuadër të Frontit njëzëri kërkuan të mbrohet vota shqiptare dhe komuniteteve tjera, me qëllim luftën ndaj majorizimit që po tenton VMRO-DPMNE. Ahmeti kërkoi nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit që, siç tha ai, t’i bashkohen alarmit, shkruan Nistori.
Ali Ahmeti gjatë Deklaratës konstatoi patjetërsinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Përsërisim që partnerët koalicionues qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitim të komuniteteve tjera të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, e drejtë kjo zakonore e zbatuar në vendin tonë që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje. Prandaj, demokracia në vendin tonë mund të jetë funksionale dhe e qëndrueshme vetëm atëherë kur komuniteti shumicë respekton përfaqësuesit legjitim të vullnetit politik të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të komuniteteve tjera. Demokracia konsensuale në vendin tonë nënkupton organizim të komuniteteve në parti politike dhe pjesëmarrje në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombasve të tyre dhe ky vullnet i komuniteteve tona, rrjedhimisht, patjetërsisht duhet të respektohet nga mandatari. Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërësim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkarisht”, tha Ahmeti gjatë leximit të Deklaratës Politike të Frontit Europian.
Ahmeti shtoi se, forcat vendore dhe komuniteti ndërkombëtar, garantues i Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues i Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojë kthim prapa, zhbërje të të arriturave të deritanishme të përbashkëta dhe duhet të pamundësohet përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit, sepse të gjithë kanë përgjegjësi për paqën, sigurinë, stabilitetin e vendit dhe rajonit tonë.
Ndryshe, kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe njëherit përfaqësues i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti e ka quajtur dramë ngjarjen e sotme të FE-së në Tetovë. Mexhiti e cilësoi Deklaratën në Tetovë si demonstrim frike nga humbja e privilegjeve me të cilat njëherë u pasuruan në mënyrë të paligjshme.
“Drama në regji të Ali Ahmetit që po shfaqet sot në Tetovë është vetëm demonstrim frike nga humbja e privilegjeve me të cilat njëherë u pasuruan, e tani po përpiqen t’a mbrojnë pasurinë e krijuar me paratë tona, derisa qytetari i thjeshtë mezi lidh fillimin me fundin e muajit. E kuptoj dëshpërimin e tyre: 20 vite kanë jetuar në llogari të popullit dhe janë pasuruar me paratë e qytetarit! Qëllimin e kanë një: dëshpërimisht të mbrojnë humbjen e pushtetit, kolltuqet dhe bizneset e tyre familjate, qëllim i kamuflluar me patriotizma e folklorizma. NDRYSHIMI ERDHI! BDI-së dhe shoqërisë së tyre të biznesmenëve u ka skaduar afati i përdorimit. VLEN është faktori i ri legjitim i cili do t’i përfaqësojë shqiptarët. Ne do ta çlirojmë sistemin nga kjo kastë e korruptuar dhe do të hapim mundësinë për njerëz të rinj, kompetent dhe me energji për t’i kontribuar kauzës tonë kombëtare”, shkruan Mexhiti në Facebook.
Mexhiti shtoi se Ali Ahmeti me shokë s’e kanë fare dertin e legjitimitetit, se e dijnë që moti e kanë humbur atë. Çështja e vërtetë është se nuk e kanë më LLOTARINË, që ua solli SORAVINË. Ka ardhur koha, thotë i pari i LD, që shfaqjet sikur e sotmja në Tetovë t’i ulin perdet.
Ahmeti më 29 maj në vazhdën e takimeve për mbrojtjen e legjitimitetit tha se vota e qytetarit nuk guxon të shkojë huq dhe se Fronti këtë nuk do ta lejojë. /Nistori/