Festivali i filmit “WatchOut” në Tetovë këtë herë me përgjigje artistike ndaj zhvillimeve të fundit në botë (Video)

    Festivali i Filmit “WatchOut” në Tetovë fillon ditën e nesërme (15.06.2022). Projeksionet e filmave do të jenë gjatë një periudhe 4 ditore (15, 16, 17 & 18 qershor) në orën 20:00 në Amfiteatrin përpara Muzeut të Partisë Komuniste, Tetovë, Maqedonia e Veriut. Në rast të shiut projeksionet do të organizohen në hapësirat e Qendrës “LOJA”. Sipas drejtorit të “LOJA”, Bujar Luma në këtë edicion kanë marrë pjesë 564 filma nga 59 vende dhe 6 kontinente. Ai para medias theksoi se çdo vit po përmirësojnë cilësinë e selektimit të filmave dhe të organizimit të festivalit dhe nuk dëshiron që të veçojë këtë 10-vjeçar të “LOJA” nga herët e kaluara, por gjithmonë duke e karakterizuar çdo edicion me të rejat e kinematografisë, shkruan Nistori.

    “Ne mundohemi që ta krijojmë një hapësirë kreative edhe të mbrojtur publike nga gjithë ajo që ndodh për rreth nesh, që artistët dhe të gjithë ata të cilët filmin dhe kulturën e shohin si pikë takimi. Ta kenë një mundësi të takohen pa presionin e asaj që ndodh jasht”.

    Luma tha se ky edicion nuk ka prurje vetëm në volum, por edhe cilësi të filmave. Kreativiteti i edicionit do të jetë një përgjigje artistike ndaj zhvillimeve të fundit në botë, madje festivali do të hapet me një film të metrazhit të shkurtër, i cili është një thirrje apo përkujtim artistike për të gjithë atë që ndodh në Ukrainë.

    Për detajet e organizimit foli edhe Lorans Dhennoeulin nga Franca, e cila ka qenë e përfshirë gjatë selektimit të filmave dhe bashkëpunuesi Kristof Grafinger, i cili foli në lidhje me punëtoritë që do të organizohen në kuadër të këtij edicioni.

    Sipas tyre, ky numër filmash i ka lejuar  grupit para-përzgjedhës dhe jurisë të krijonin një program shumë të larmishëm dhe ne kemi kënaqësinë të dëshmojmë se WatchOut! është kthyer në një festë të kinematografisë dhe në një pikë referimi për autorët/et e filmit dhe filmdashësit.

    Nistori pyeti Lumën se çka do të ketë të veçantë në këtë edicion, meqenëse është edhe jubileu 10-vjeçar i WatchOut dhe pse tre vendet e para fituese të festivalit janë filma ndërkombëtar dhe nuk ka ndonjë film fitues nga kinematografia shqiptare. A do të thotë që Kosova dhe Shqipëria nuk kanë aplikuar në këtë festival apo është çështje cilësie.

    “Ne këtu nuk shpallim fitues në bazë të kategorive etnike, por në bazë të vlerave artistike. Ka një juri, e cila i merr vendimet. Çfarë vendime merr juria, ne mund të mos pajtohemi, por nuk i diskutojmë vendimet e tyre. Festivali ka qenë i hapur për çdo shtet, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë. Fatkeqësisht, gjithmonë kemi më pak aplikime nga këto vende. Ne kemi një problem tjetër integrimi brenda për brenda. Akoma nuk shihemi në nivelet të cilët shihen që e ngasin biçikletën në mënyrë të barabartë. Dikush na sheh më larg, dikush më poshtë. Megjithatë, në afatgjatë ne mendojmë ne ofrojmë diçka po aq cilësore sa festivalet që mbahen në shtetet e shqiptare. Ne si festival krijojmë mundësi të barabarta për çdo person, i cili nuk promovon urrejtje, dhunë dhe ide fashiste. Ajo që festivali sjell këtë vit janë të arriturat apo realizimet gjatë vitit të kaluar apo këtë vit. Ky është kriteri. Ne nuk nisemi me idenë se është festivali i dhjetë dhe duhet të bëjmë diçka të veçantë. Ne çdo ditë në punën tonë, në çdo edicion të festivalit përpiqemi t’i bëjmë gjërat më mirë se vitin e kaluar.” – shton Luma.

    Ndryshe, Luma tha se festivali zhvillohet pa asnjë përkrahje të vetme as nga autoritetet lokale, as nga ato qëndrore.

    WatchOut! Tetovo Film Festival është një festival ndërkombëtar që organizohet në qiell të hapur. Festivali organizohet nga Qendra LOJA, me mbështetje të Goethe-Institut – Shkup dhe disa segmente të festivalit mbështeten nga Kurve Wustrow. /Nistori/

    Fituesit e këtij edicioni jubilar të festivalit të filmit WatchOut! janë:

    1. Kategoria e Filmit Dokumentar – Pablo de la Chica nga Spanja me filmin e quajtur MAMA
    2. Kategoria e Filmit Eksperimental dhe të Animuar – Shakila Samavati nga Irani me filmin DOLL STORY
    3. Kategoria e Filmi me metrazh të shkurtër – Nuria Muñoz-Ortín & Eva Libertad nga Spanja me filmin SORDA (DEAF)

    Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal me përkthim në gjuhën angleze. Hyrja për të gjitha projeksionet është falas.

    Lajmi Paraprak

    Çfarë nënkupton mos prezenca e Ziberit në mbledhjen për tragjeditë në Tetovë dhe Bullgari?!

    Lajmi i rradhës

    Skender Rexhepi largohet nga Alternativa, do të veprojë si deputet i pavarur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë