FIFA ua heq ndalesën ekipeve kombëtare të të rinjve të Rusisë

    Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, njoftoi të mërkurën se do t’i lejojë ekipet e djemve dhe vajzave të Rusisë nën moshën 17-vjeçare të luajnë në turnetë e futbollit ndërkombëtar.

    Javën e kaluar, UEFA – organi qeverisës i futbollit evropian, e mori vendimin e njëjtë për klubet e të rinjve të Rusisë.

    “Kjo me kusht që këto ekipe të luajnë nën emrin ‘Unioni i Futbollit i Rusisë’, e jo Rusia, dhe pa flamur kombëtar, pa himn kombëtar, pa fanellën dhe pajisjet e tyre zyrtare, por me ngjyra neutrale”, tha FIFA në një komunikatë.

    Ekipeve nga Rusia iu ndalua pjesëmarrja në garat e ekipeve kombëtare në nivel ndërkombëtar, kur Rusia e pushtoi Ukrainën.

    Kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, UEFA vendosi t’i pezullojë të gjitha ekipet ruse – kombëtare apo klube – nga pjesëmarrja në garat e saj.

    Por javën e kaluar, UEFA tha se “fëmijët nuk duhet të ndëshkohen për veprime për të cilat përgjegjësi kanë ekskluzivisht të rriturit”, dhe se ekipet nën moshën 17-vjeçare të Rusisë do të pranohen prapë në garat e saj “gjatë këtij sezoni”.

    Federata e Futbollit e Ukrainës i bëri thirrje UEFA-s ta rishqyrtojë vendimin dhe tha se nuk do të luajë në turnet ku marrin pjesë ekipet ruse.

    Po ashtu, Anglia, Norvegjia, Suedia dhe Danimarka thanë se ekipet e tyre nuk do të luajnë kundër Rusisë, pavarësisht vendimit të UEFA-s. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Despotovski: Një numër i konsiderueshëm i të rinjve largohen nga Maqedonia, duhet të bëjmë diçka

    Lajmi i rradhës

    I lirë, por pa pasaportë – Kështu mund të përshkruhet statusi i Radoiçiqit në Serbi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë