Kreu i LSDM-së Venko Filipçe akuzoi qeverinë se po i dëmton bujqit. Ai tha se fondet për subvencionet janë shkurtuar ndërsa janë vështirësuar edhe kushtet për të fituar të drejtën për subvencione.
“Qeveria po e ul në tërësi Programin për subvencione në bujqësi. Nga 140 në 100 milionë euro. Pra, për një të tretën më pak mjete për të gjithë sektorët në bujqësi – blegtori, vreshtari, pemëtari. këta bujq nuk do të kenë mbështetje të mjaftueshme nga shteti, siç e kishin në kohën e qeverisë së LSDM-së”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunonvski, hodhi poshtë akuzat për shkurtim të subvencioneve për 40 milionë euro. Ai tha se opozita manipulon me këtë temë për të përfituar pikë politike.
“Risi në Programin për vitin 2026 është shpërndarja e qartë e mjeteve. Prioritet do të kenë bujqit e vërtetë, ata që jetojnë nga bujqësia. Në vitet e kaluara janë evidentuar të ashtuquajturit ‘gjuetarë të subvencioneve’, të cilët nuk punojnë tokë bujqësore, por aplikojnë për mbështetje financiare”, tha Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë.






