Fillimi i negociatave me BE-në, vetëm nëse zgjidhet kontesti me Bullgarinë

    “Vetëm puna e intensifikuar në relacionin Shkup-Sofje do të japë rezultate,” tha Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Politikë të Jashtme Xhozef Borrell.

    Megjithatë, ai shtoi se çështjet dypalëshe nuk duhet të rrezikojnë procesin e zgjerimit. Nga ana tjetër, qeveritarët sigurojnë se kanë komunikim të rregullt me homologët bullgarë për të gjetur një zgjidhje që do të jetë dinjitoze për të dyja vendet dhe që do të zhbllokojë integrimin evropian të vendit.

    “Çelësi i zgjidhjes është marrëdhënia Shkup-Sofje, ndërsa Brukseli të gjitha institucionet evropiane dhe vendet anëtare mund të ndihmojnë dhe mbështesin atë proces. Prandaj, që nga fillimi i vitit, që kur u formua Qeveria e re, ne kemi qenë në komunikim intensiv me Bullgarinë, në një atmosferë tjetër dhe për shumë tema dhe për këtë arsye nuk kemi shpallur asnjë datë”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

    Autoritetet ndërkohë thonë se ekspertë nga ministritë e jashtme të të dyja vendeve po komunikojnë vazhdimisht për çështje politike.

    “Ajo zgjidhje e arritur bashkërisht do të ndahet me të gjitha palët e interesuara në vendin tonë dhe do të prezantohet në mënyrë institucionale në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në vend”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

    Ndonëse fillimisht ishte paralajmëruar se ekspertët, pas takimit në Sofje më 11 shkurt, do të takohen sërish në Shkup në gjysmën e parë të këtij muaji, për momentin nuk ka njoftim të tillë. Takimi i fundit ndërmjet grupit të punës ndërqeveritare për transformimin dixhital dhe sundimin e ligjit u zhvillua vetëm tre ditë më parë, kur zëvendëskryeministri bullgar Borisllav Sandov premtoi se Bullgaria do të na ndihmojë të hapim grupe në procesin e negociatave. Deri në fund të muajit pritet të ulen sërish në të njëjtën tavolinë historianët, në takimin e fundit të të cilëve, siç kanë bërë të ditur, është bërë progres dhe ndonëse nuk ishte planifikuar, kanë vendosur të takohen edhe tre herë deri në maj. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tregtarët në RMV nuk respektuan masat e qeverisë – marzhin e kufizuar

    Lajmi i rradhës

    Pankovska: Problemet në gju, më shpesh te rinia që merren me sport

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë