Me mjetet e ndara nga Programi TAV për Komunën e Tetovës do të realizohen dy projekte. Bëhet fjalë për bulevardin “Bllagoja Toska” dhe shtratin e Lumit Shkumbin. Ende nuk dihet se sa do të zgjasin punimet për këto dy projekte të Komunës së Tetovës, të cilët kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi, ka filluar t`i realizojë në fund të mandatit të saj. Më 10 korrik Komuna e Tetovës nënshkroi kontratën në vlerë prej 30 milion denarë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe investitorin TAV, për rregullimin e plotë të shtratit dhe shëtitores të Lumit Shkumbin. Lidhur me atë se kur do të fillojnë punët për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin, e pyetur nga Gazeta Koha, kryetarja Arifi nuk ka dhënë përgjigje konkrete as për fillimin apo mbarimin e punëve, por vetëm nënvizoi se shumë shpejtë edhe atje do të fillojnë punët. “Njëjtë sikurse që jeni të pranishëm në fillimin e punëve të Bulevardit ‘Bllagoja Toska’, po ashtu edhe në fillimin e punëve për atë projekt të rëndësishëm për Tetovën do të jeni të ftuar”, tha kryetarja Arifi.
Për rregullimin e shtratit dhe shëtitores së Lumit Shkumbin, Komunës së Tetovës i janë ndarë rreth 500 mijë euro nga programi TAV. “Parashihet të rregullohet shtrati në brendinë e lumit, pastaj të rregullohen shëtitore dhe vendet për qëndrim të qytetarëve. Ky projekt do të jetë një shërbim shumë i mirë për bashkëqytetarët tanë”, theksoi kryetarja Arifi.
Në ndërkohë, ditë më parë janë përuruar punimet rreth vazhdimit të ndërtimit të Bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë. Një projekt tashmë shumë i përfolur dhe i vonuar tetë vite. Por, sipas informacioneve të banorëve lokal që jetojnë në këtë zonë dhe që janë përfshirë në procesin e denacionalizimit, mosmarrëveshjet me Komunën e Tetovës rreth shpronësimit të pronave mund të jetë pengesë për vazhdimin e bulevardit. Komuna filloi me punët ndërtimore para urës tashmë të ndërtuar mbi Lumin Shkumbin, përderisa pas urës gjenden shtëpitë të cilat duhet të rrënohen që të vazhdohet bulevardi. Disa prej tyre ishin rrënuar gjatë viteve të kaluara, por ka ende shtëpi ku ende jetojnë banorët. Ata ankohen se nuk ka marrëveshje reale për dhënien e pronave të tyre. “Japin shumë pak para, vetëm 70 mijë euro për sipërfaqe 426 metra katrorë. Njëherësh kur negocionim më thanë se do të më japin leje për ndërtim të objektit të ri në oborr përgjatë trasesë, por ende nuk e kemi marrë. Kam mjaftueshëm vend që të jepet hapësirë për rrugën, por edhe që të ndërtojmë shtëpi të re. Na thanë se mund të ndërtohet, por ende nuk na dhanë leje për ndërtim. Paratë për shpronësim janë pak, nuk mund të blejmë asnjë banesë në Tetovë”, thonë banorë të kësaj lagje.
Një banore tha se nuk do të heqë dorë derisa nuk merr leje për ndërtim dhe më shumë para për pronën. “Do të lejojmë të ndërtohet, por siç duhet të japin, si të tjerëve. E di se u kanë dhënë më shumë para. Nëse merremi vesh do të jetë mirë për të gjithë, për gjithë qytetin. Të gjithë presin të lëshohet ky bulevard, të mos ketë aq shumë komunikacion përgjatë Tetovës. Ka gjashtë vite që po zhvillohen bisedime, kemi trauma, mezi i përballoj”, shprehen banorë të kësaj lagje.
Nga ana tjetër, kryetarja Teuta Arifi konfirmon se nuk ka marrëveshje me të gjithë pronarët rreth shpronësimit, por siguron se ka vendime gjyqësore në favor të Komunës. “Ne formalisht juridikisht i kemi përfunduar të gjitha detyrimet drejtë qytetarëve. Te 95 për qind kemi marrëveshje dhe pagesa. Aty ku eventualisht qytetarët kanë pasur dilema dhe kanë shkuar në procedurë gjyqësore, gjithashtu kemi nga ana e Gjykatës vendimet të cilat absolutisht na japin rrugë të hapur që ta përfundojmë projektin”, theksoi Arifi.
Për vazhdimin e bulevardit prej rreth 500 metra, komuna fitoi para nga Qeveria. Mjetet për shpronësim janë nga buxheti i shtetit, përderisa për punët ndërtimore nga programi TAV. Bulevardi “Bllagoja Toska” duhet të vazhdohet te Spitali Klinik përmes urës në Lumin Shkumbin në drejtim të Bllokut 70 apo deri tek Shkolla e Mesme Tekstile. Të dy këto projekte janë ende në fillim, dhe kur do të shohin fundin nuk dihet saktësisht, ndonëse reagimet e qytetarëve janë se këto punë që po promovohen tash, janë vetëm pjesë e fushatës elektorale të kryetares aktuale, e cila publikisht ka marrë mbështetje nga pjesa dërmuese e kabinetit qeveritar të BDI-së se do të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Tetovës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, tha se Tetova do të shndërrohet në një fushë ndërtimi në të gjitha anët në drejtim të realizimit të projekteve. Grubi ka theksuar se e gjithë mbështetja qeveritare do të jetë në realizimin e projekteve që janë nisur në Komunën e Tetovës, por duke mos u ndalur me kaq. “Një zonjë si Teuta po vihet në ballë në betejën për tetovarët me Covid-in duke hapur qendra të reja të vaksinimit, duke siguruar vaksina, duke luftuar për nxënësit në shkolla dhe kjo është ajo që i duhet Tetovës. Tetovës i duhet Teuta Arifi, sepse i ka hije Tetovës”, ka theksuar Grubi gjatë vizitës në Tetovë. Zyrtarizimi i kandidatëve të kësaj partie pritet të bëhet më 4 shtator në Gostivar./Kohamk/