Fjalor i ashpër nga aktorët politikë të RMV-së

    Kualifikime jashtëzakonisht të këqija, zhvlerësim të rivalit politik, komunikim negativ, hipokrizi, kështu mund të përshkruhet atmosfera e skenës politike ditëve të fundit në Maqedoni. Analistët shprehen decid, se me këtë sjellje politikanët po dëmtojnë rejtingun e tyre por edhe shtetin. Fakti që ata nuk zgjedhin fjalët kur i drejtohen kundërshtarit të tyre politik mund të mobilizojë mbështetje në afat të shkurtër, por rezultati përfundimtar është një thellim i ndarjeve në shoqëri. Sipas kryetarit të Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, Marko Troshanovski, komunikimi mes elitave politike është cirk dhe për këtë arsye partitë janë vetëm humbëse me këtë mënyrë të retorikës.

    “Ndoshta mobilizon mbështetjen në një afat të shkurtër, i ndez njerëzit që të reagojnë emocionalisht ose të krijojnë një marrëdhënie më të fortë me temën për të cilën flitet, por përveç atij përfitimi që duhet të ushqehet nga komunikimi i ri dhe i ri i tillë emocional, fyes, negativ, gjithçka tjetër është vetëm e dëmshme për publikun, e procedurat demokratike, ju merrni një publik që nuk është i informuar, ju merrni një publik që është keqdashës, mendjelehtë, nuk mendon me një fokus racional, por e redukton komunikimin në një cirk politik, dhe ju merrni politika që nuk mund të mbështeten nga konsensusi social, dhe ju merrni polarizimin. Nëse gjeni politikanë që do të pajtohen se çfarë është e mirë që ka bërë kundërshtari tjetër, ose një temë për të cilën të dyja palët pajtohen, atëherë jemi një hap përpara një shoqërie demokratike, tani nuk është kështu”, thotë Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

    Hipokrizia si i ashtuquajturi postulat kryesor i politikës sjell pak pikë dhe është i dëmshëm për qytetarët, vlerëson Troshanovski. Prandaj, rezultatet e të gjitha sondazheve të fundit nuk janë befasuese, të cilat tregojnë se një pjesë e madhe e njerëzve nuk e njohin më veten as në parti dhe as në liderë.

    Ndërkaq, sipas analistit Bllagojçe Atanasovski, mënyra se si funksionon sistemi shumëpartiak në Maqedoni, në vend që të sjellë demokraci, vetëm sa e degradon situatën edhe ashtu të keqe partiake.

    “Përleshjet para kamerave, nga ana tjetër, janë thjesht një lloj teatri politik për publikun. Ata performojnë egërsisht para kamerave dhe kur kamerat fiken, sillen si miq të ngushtë. Hipokrizia sundon skenën politike. Kjo nuk është mirë, sepse ju keni elektoratin tuaj dhe ata ju besojnë, por kur mbizotëron kjo hipokrizi, besimi zvogëlohet. Bëhet fjalë për aktrim të profesionalizuar, të sprovuar mirë, një lloj teatri politik për publikun. Bëhet fjalë për moral të ulët politik, vetëm pjesë e folklorit politik. Jemi mësuar që politikanët të veprojnë ashpër, por ata e bëjnë këtë për përfitime personale, për përfitime partiake, dhe shumë pak besojnë në atë që thonë dhe pretendojnë, është hipokrite dhe e vrazhdë të fajësosh kundërshtarin para kamerave dhe në fund të fundit ju kur të fiken dritat bëni sikur nuk ia vlen asgjë nga ato që u tha”, thotë Bllagojçe Atanasovski.

    LDSM antimaqedonase apo DPMNE kriminale…. është vetëm një shembull i kumtesave ditore partiake që tregojnë se si partitë politike nuk i zgjedhin fjalët. Retorika këtë vit është bërë shumë më e ashpër se ato të mëparshmet sepse në vitin 2022 pati zhvillime të shumta në skenën politike që ndanë shumë qytetarët. Sipas analistëve, kualifikimet që përzgjedhin politikanët shpesh e kalojnë tonin e mirë dhe edukimin shtëpiak, gjë që nuk u ka hije aspak zyrtarëve të lartë partiakë apo shtetërorë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    IKËN MJESHTËRIT! Dibranët çdo ditë e më shumë ikin nga vendi!

    Lajmi i rradhës

    Paga minimale në RMV sa për ujë dhe bukë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë