Fjalor nacionalist para fushate!

    Skena politike në Maqedoninë e Veriut, po nis të trazohet sa herë kur nisin bisedimet për  zgjedhje. Liderët politik e ndryshojnë kursin e tyre për 360 shkallë gjithmonë duke tentuar që të mbajnë votuesit aktiv dhe për t’i tërhequr sa më shumë ato. Bashkimi Demokratik për Integrim e cila është në pushtet dhe opozitarja VMRO-DPMNE u gjendën përsëri në një përplasje mbi rezultatin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm dhe shkëmbyen akuza për “nacionalizëm, urrejtje ndëretnike dhe provokime”. Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, e ka vlerësuar si të rrezikshme për shtetin deklaratën e VMRO-DPMNE-së se pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare dhe pas fitores së tyre të mundshme, BDI do të shkojë në opozitë. Përmendja e BDI-së, sipas tij, është përmendje e vullnetit shumicë të shqiptarëve.

    Reagimi vjen pas deklaratës së nënkryetarit të partisë më të madhe opozitare, Aleksandar Nikollovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve “nuk do të ketë qeveri me BDI-në”. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski nga Radovishi u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të mos bien në “provokimet nacionaliste të liderit të BDI-së”. Ali Ahmeti këtë fundjavë në fshatin Sopot të Komunës së Likovës ka hapur Qendrën Përkujtimore apo Muzeun e UÇK-së, e cila ka hartën e Shqipërisë së Madhe, fotografitë e tij dhe komandantët me uniformë dhe shenja të UÇK-së, e kjo ka shkaktuar reagime te pala maqedonase.

    “Në periudhën që vijon qytetarët duhet të kenë kujdes, sepse gjithmonë BDI kur kapen në vjedhje, në grabitje, menjëherë i drejtohen temave kombëtare, pra nacionalizmit dhe shovinizmit. BDI tashmë është në fushatë, provokime të tilla do të ketë në periudhën në vijim. Sa më të mëdha të jenë ato provokime nacionaliste, kini parasysh se edhe një herë në katër sy vendoset tender dhe sërish grabiten qytetarët e Maqedonisë”, thotë Mickoski.

    TONE NACIONALISTE PËR PIKË POLITIKE

    “Nuk është hera e parë që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe  ai i VMRO-DPMNE-së, Mickovski nisin  të mbajnë fjalime të nxehta me tone nacionaliste. Vokabulari i tyre nacionalist bëhet për pikë politike dhe për të nxitur masën që të del në votime”, thotë analisti politik, Berat Azizi.

    “Mendoj se vokabulari nacionalist i dy liderëve  në kohën kur bisedimet për BE janë në fazën finale nuk kanë edhe ndonjë peshë të madhe sepse tashmë qytetarët janë të vetëdijshëm se BE- nuk lejon tone dhe retorika nacionaliste. Vokabulari nacionalist i shprehur nga Ahmeti dhe Mickoski, mund të përdoret për politika ditore dhe të prek një numër të vogël të simpatizantëve politik, por jo në tërësi. Mendoj se më mirë do të ishte që liderët të përdorin vokabularin nacionalist-ekonomik, atë të sundimit të drejtësisë dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Besoj se ky vokabular sot do të mund të ishte më i dobishëm për shoqërinë se sa ai nacionalist”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist.

    SHQIPTARËVE NUK DO I’U MUNGOJË ASNJË QIME FLOKU

    Osmani tha në një konferencë në Shkup se nuk është hera e parë që BDI-së i kërkohet të shkojë në opozitë. “Më kujtohen edhe deklaratat e Zoran Zaevit në mitingje kur tha se pse BDI të mos shkojë në opozitë dhe të na bëjë të kuptojmë se çfarë do të jetë përfundimi. Kjo mënyrë e krijimit të urrejtjes ndëretnike për ta përdorur më pas për të fituar pikë politike është shumë e rrezikshme për një demokraci multietnike si kjo e jona. VMRO-së mund t’i them se përderisa BDI është në krye dhe derisa është Ali Ahmeti në pushtet, shqiptarëve nuk do t’u mungojë asnjë fije floku. Të gjitha kërcënimet e tilla janë të pavlera”, tha Osmani.

    Në vërejtjen e gazetarëve se përmendet BDI-ja dhe jo të gjithë shqiptarët dhe pse thotë tensionet ndëretnike, Osmani tha se “pikërisht BDI është vullneti shumicë i shqiptarëve”. “Përmendja e BDI-së është përmendje e vullnetit shumicë të shqiptarëve. BDI përfaqëson shqiptarët dhe ata nuk ranë nga qielli. Dikush i zgjodhi për të përfaqësuar shqiptarët. Vullneti i shumicës së shqiptarëve është me BDI-në, prandaj kjo përpjekje për të krijuar urrejtje ndëretnike për të shfrytëzuar më pas emocionin e maqedonasve, mendoj se është me rrezik të gjerë për shtetin”, shtoi Osmani.

    PARULLAT NË ÇAIR

    Tensioni u ngrit më tej nga ngjarjet në ndeshjen e futbollit Shkupi-Vardar të dielën (05.11), ku u shfaqën parullat se shqiptarët duhet ta kishin përmbushur amanetin historik – “Shkupi të jetë zemra e Shqipërisë”. Osmani ka thënë se nuk është në dijeni se çfarë ka ndodhur.

    “Nuk i kam dëgjuar ato mesazhe. “Çdo deklaratë që shkakton intolerancë etnike është kundër ligjit”, tha Osmani.

    Lajmi Paraprak

    A mund ta zgjidhë policia komunale problemin e mbeturinave?

    Lajmi i rradhës

    Qeveria nuk i ka azhurnuar të dhënat për shpenzimet e zyrtarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë