A mund ta zgjidhë policia komunale problemin e mbeturinave?

    Mbeturina në Tetovë * Arkiv

    Vendi ynë po mbytet në mbeturina. Ndonëse prej vitesh është paralajmëruar vendosja e policisë komunale, e cila do të sillte rregull në hedhjen e pakontrolluar të mbetjeve dhe krijimin e vendgrumbullimeve në çdo hap, ideja për momentin mbetet vetëm në letër. Ministrja e Mjedisit, Kaja Shukova, thotë se duhet ndërgjegjësim më i madh i opinionit se sa ndëshkim, por shton se po mendohet vendosja e policisë komunale, e cila do të ndëshkojë hedhjen e rregullt të mbeturinave nga qytetarët. Por a mundet policia komunale të “disiplinojë” qytetarët që të mos hedhin mbetje kudo?

    PRO DHE KUNDËR

    Ideja u mbështet nga disa komuna dhe ambientalistë, por disa besojnë se nuk është një shkop magjik që do të mund të zgjidhë të gjitha problemet.

    Sipas ministrit të Mjedisit, ideja është që policia komunale të mund të shqiptojë gjobë në vend, ashtu siç mund të gjobit një polic rrugor për një shkelje rrugore në vend. Shukova beson se problemi nuk është nëse shteti dhe autoritetet lokale do të ndërhyjnë dhe pastrojnë, por nëse do të mbetet i pastër në të ardhmen. Kjo është veçanërisht e vërtetë për vende si parqet kombëtare, ku është një praktikë e vendosur për të pastruar deponitë, por ato formohen përsëri. “Ka kontroll të vazhdueshëm, por problemi ynë është ndëshkimi. Kur shkojmë në vendet e BE-së, kur kalojmë kufirin tonë, për fat të keq, sillemi ndryshe. Mendoj se, siç sillemi në ato vende, duhet të sillemi edhe në shtëpi. Pyetja nuk është nëse duhet të ndëshkojmë njëri-tjetrin. Duhet të ndërgjegjësojmë sadopak publikun se me hedhjen e mbeturinave po e dëmtojmë veten, sepse këtu jetojmë, këtu mbijetojmë, këtu do të jetojnë edhe fëmijët tanë”, tha ministrja Shukova gjatë vizitës së saj në fshatin Tudencë në Tetovë.

    RREZIQET

    Policia komunale në letër është një koncept i mirë, dhe kur arsimi dështon, ndëshkimet duhet të bëjnë të vetën, thotë eko-aktivisti dhe këshilltari i qytetit, krijuesi i aplikacionit “Ajri im”, Gorjan Jovanovski.“Prandaj kemi frikë të hedhim mbeturina në rrugë në BE, por në shtëpi nuk e kemi problem, sepse nuk i shohim pasojat. Nga ana tjetër, sipas analizave në rajon, policia komunale përdoret për punësime partiake, shpërdorim detyre dhe shpërdorim të pozitës zyrtare. Nëse nuk zbatohet si duhet, do të bëhet vetëm një projekt i dështuar që do të zbrazë buxhetin, dhe do ta zvogëlojë edhe më shumë besimin në polici, që sigurisht është në nivel rekord të ulët”, thotë Jovanovski.

    ANKESAT

    Tetova, Shkupi, Ohri, si dhe rajone të tjera në vend vuajnë nga mbeturinat dhe deponitë, të cilat shkatërrojnë shpresën e fundit që lumenjtë, malet, liqenet një ditë të çlirohen nga ngarkesa e madhe e papastërtive dhe mbeturinave.

    Ngadhnjim Mehmeti, nga Eko Guerila – Tetovë, thotë se policia komunale do të ishte një kontribut për vendosjen e njëfarë rregulli në vend për të parandaluar kaosin me mbeturinat, deponitë, keqpërdorimet e hapësirave publike dhe sjelljet e pahijshme të qytetarëve si hedhja e një dhome gjumi të tërë dhe mobilje pranë kontejnerëve.

    “Por, sigurisht që për këtë fillimisht duhet të informohen qytetarët se ku duhet hedhur ato mbeturina, e kush nuk e respekton, të dënohet. Në të njëjtën kohë, autoritetet lokale duhet të caktojnë vende të veçanta për mbetjet e ngurta që nuk mund të vendosen në kontejnerë. Por pa legjislacion më të rreptë, do të jetë e vështirë të arrihet kjo”, thotë ai.

    Në gjashtëmujorin e parë të vitit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit ka kryer 265 inspektime lidhur me menaxhimin e mbetjeve. Ndaj një autori të panjohur është bërë kallëzim penal edhe për derdhjen e derivatit të naftës në kanalin Studençiski të liqenit të Ohrit. Më së shumti inspektime janë bërë në rajonin e Vardarit dhe të Shkupit, ndërsa numri më i vogël në rajonin e Pellagonisë dhe atë Verilindor. Shumica e ankesave kishin të bënin me menaxhimin e mbeturinave.

    Ndërkaq, Qyteti i Shkupit më 10 tetor ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri projektligjin për policinë komunale, me qëllim që të përgatitet për muajt e dimrit kur vazhdimisht shënohet ndotje e shtuar. Policia komunale duhet të përfaqësojë një mekanizëm sistematik në luftën kundër ndotjes dhe të kontribuojë në vendosjen e rendit komunal në Shkup. Ndër të tjera sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale të grumbulluara në vend në vitin 2022 është 605.638 tonë, ndërsa sasia totale e mbetjeve komunale të krijuara është 856.766 tonë. Krahasuar me vitin 2021, sasia totale e mbeturinave komunale të grumbulluara në vitin 2022 ka shënuar rënie prej 4.2%.

    Lajmi Paraprak

    “Drejtësia të del në shesh” / I dënuari Agim Islami reagon pas deklaratës së Krenar Llogës

    Lajmi i rradhës

    Fjalor nacionalist para fushate!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë