Fjalori fyes i Xhaferit, rasti ende nuk ka epilog

    “Nëse Talat Xhaferi do të kishte pak virtyt, deri tani do kishte dhënë dorëheqje”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.

    Për të dytën javë me radhë ende nuk ka asnjë zgjidhje për videon skandaloze ku dëgjohej kryeparlamentari Xhaferi teksa shante dhe ofendonte disa të punësuar në Kuvend. As ai dhe as kabineti i tij nuk kanë komentuar deri më tani. Partia opozitare theksoi se për një skandal të tillë në Evropë, Xhaferit tashmë do i kishte përfunduar karriera politike.

    “A ka ndonjë zyrtar në ndonjë vend demokratik që fyen punonjësit dhe më pas nuk mban përgjegjësi? Përgjigjja është, nuk ka tjetër pos Xhaferit. Kovaçevski dhe anëtarët e partisë së tij padyshim zgjodhën të udhëhiqen nga parimi – ne nuk jemi nga këtu, nuk kemi parë e as dëgjuar asgjë”, deklaroi Dragan Kovaçki – VMRO-DPMNE .

    VMRO-DPMNE javën e kaluar dorëzoi kërkesë me shkrim për mbajtjen e seancës së Komisionit për çështje të imunitetit dhe mandatit, ku do të diskutohej nëse Xhaferi ka shkelur rëndë Kodin Etik të deputetit, duke fyer dhe kërcënuar punonjësit e shërbimeve parlamentare. Katër deputetë të opozitës kanë bërë të ditur tashmë se janë gati të dëshmojnë në seancën e komisionit për shkak se kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur rasti. Përkundër kërkesës me shkrim, kryetari i Komisionit, deputeti Panço Minov ende nuk ka thirrur seancë. Ai thotë se sipas Rregullores rrjedh afati prej pesë ditë pune nga pranimi i kërkesës për thirrjen e seancës, pas së cilës do të caktonte datën. Ndryshe, të mërkurën skadojnë pesë ditët kur është paraparë që Minov ta caktojë seancën. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ivanovska: Pa përgjegjësi dhe llogaridhënie nuk ka demokraci

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë