FMN: Ka hapësirë për paga më të larta në sektorin publik, por kujdes nga inflacioni

    Në rrjedhë e sipër është rimëkëmbja ekonomike e Maqedonisë së Veriut, madje me rritje reale të BPV-së të projektuar prej 2,1 për qind këtë vit, ndërsa 3,4 për qind në vitin 2024. Çmimet e konsumit sivjet pritet të rriten mesatarisht për 9.2 për qind, 3.5 për qind në vitin 2024, ndërsa deri në vitin 2026 të kthehen në 2 për qind, theksohet në gjetjet preliminare të misionit të FMN-së i cili qëndroi në vend nga 5 deri më 9 qershor, njofton AIM, përcjell Nistori.

      “Financat publike janë në rrugën e duhur për të përmbushur deficitin e përcaktuar në Buxhetin 2023 të miratuar nga Parlamenti. Megjithatë, vonesa në miratimin e reformës së politikës tatimore dhe taksës së solidaritetit mund të komprometojnë të ardhurat tatimore dhe të rrezikojnë shpenzimet prioritare. Në këtë aspekt, reforma tatimore duhet të miratohet pa shtyrje duke pasur parasysh periudhën e gjatë të konsultimeve publike, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për taksën e solidaritetit. Përpjekjet për përmirësimin e taksave duhet të jenë të qëndrueshme dhe të përshpejtohen”, thotë shefi i misionit të FMN-së, Zhak Maniane.

      Me faktin se rritja e çmimeve të konsumit në vitet e fundit ka ulur fuqinë blerëse të amvisërive, FMN vlerëson se është e kuptueshme që punonjësit në sektorin publik kërkojnë paga më të larta.

      “Tashmë ka hapësirë ​​në buxhetin e pushtetit qendror për të përshtatur rritjen e masës së pagave prej afër 10 për qind, ngjashëm me normën e projektuar të inflacionit për vitin 2023, përfshirë edhe harmonizimin e pagës minimale këtë vit. Çdo gjë që është mbi këtë do të krijonte një ngarkesë të madhe dhe të përhershme në buxhet dhe gjithashtu do të rrezikonte kostot e tjera thelbësore. Rritjet e mëdha të pagave bartin gjithashtu rrezikun e shndërrimit të inflacionit të përkohshëm të lartë në inflacion të lartë të vazhdueshëm”, ka thënë Maniane.

      Konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë të mbështesë qëndrueshmërinë fiskale dhe të sigurojë rezerva adekuate fiskale për krizën e ardhshme.

      “Edhe pse reforma e bllok- tarifave për energji elektrike në vitin 2022 ka qenë një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, çmimet e energjisë elektrike për shumicën e amvisërive mbeten fuqishëm të subvencionuara dhe janë ndër më të ulëtat në Evropë. Si rezultat i kësaj, financat publike mbeten të pambrojtura ndaj rritjes së çmimeve të energjisë. Edhe pse rritja e tarifave të energjisë nuk është kurrë e lehtë, do të jetë e rëndësishme të vazhdohet me reformat e tarifave të energjisë elektrike që gradualisht do të shfuqizojnë subvencionet dhe do të forcojnë efikasitetin energjetik. Konteksti aktual i çmimeve më të ulëta ndërkombëtare të rrymës ofron mundësi për të vazhduar reformat e tilla”, vlerëson FMN.

      Për Bankën Popullore thuhet se ka vazhduar normalizimin e politikës monetare duke rritur normat e interesit, por edhe duke përdorur masa të tjera për të siguruar që inflacioni i lartë të mos zgjasë. Inflacioni filloi të ngadalësohej, kjo ndihmuar nga ulja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, por edhe si pasojë e shtrëngimit të politikës monetare.

      “Sektori bankar është likuid, fitimprurës dhe i kapitalizuar në mënyrë adekuate, me çka kushtet pozitive aktuale duhet të shfrytëzohen për përforcim të mëtutjeshëm të kapitalit”, thonë në FMN.

      FMN-ja, gjithashtu, i mbështet masat makroprudenciale të cilat i miratoi para pak kohësh Banka Popullore, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e kërkesës për kredi, për të cilat theksojnë se janë vegël e rëndësishme për menaxhim me rreziqet në sektorin e “patundshmërive”.

      Në gjetjet preliminare theksohet se reformat strukturore dhe institucionale janë kyçe për perspektivat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe duhet të përshpejtohen në mënyrë që të forcohen perspektivat e rritjes së vendit dhe përafrimit me të ardhurat e BE-së në afatmesëm.

      Sa i përket projekteve rrugore për korridoret 8/10d, nga FMN theksojnë se ende janë duke i vlerësuar implikimet mbi financat publike.

      Lajmi Paraprak

      Prokurorët dhe gjyqtarët mbikëqyrin kolegët e tyre në çështjet që lidhen me Merko

      Lajmi i rradhës

      Xhaferi: BDI-ja nuk do t’i kërkojë përgjegjësi Ramiz Merkos

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë