Universitetit të Tetovës i mungojnë laboratorët dhe një bibliotekë funksionale për studentët, por jo shpenzimet për dreka dhe darka luksi. Afërsisht 40 mijë euro janë përdorur për takime dhe dreka e darka, ndërkohë që studentët marrin vetëm 2,30 euro për një vakt ushqimor, kështu thonë nga Forumi për Ndryshime në Arsim, përcjell Nistori.
Sipas FNA, vetëm një darkë në një nga qebaptoret e qendrës së Tetovës ka kushtuar 995 euro, shifër që mund të ushqente 430 studentë.
Forumi kërkon nga rektori Jusuf Zejneli të shpjegojë publikisht se si është e mundur që Universiteti i Tetovës të harxhojë çdo muaj rreth 4.500 euro nëpër restorante, duke theksuar se universiteti ka regres në çdo matje ndërkombëtare, përveç shpenzimeve për ushqim.
Hulumtimet e FNA-së tregojnë se asnjë universitet tjetër publik në Maqedoninë e Veriut nuk shpenzon as një të katërtën e asaj që shpenzon UT-ja për dreka dhe darka.
FNA-ja kërkon hetim të çdo shpenzimi të dyshimtë, duke theksuar se Universiteti i Tetovës nuk mund të ndërtojë reputacion me fatura restorantesh, por vetëm me transparencë, dije dhe dinjitet akademik. /Nistori/






