FONDET E IPA- 800 MILIONË EURO INVESTIME | Rajoni i Pollogut, përfituesi i fundit

    Fondet më të mëdha të IPA-s janë derdhur për projektet në fushën e transportit. Të dhënat e publikuara nga Bashkimi Evropian tregojnë se nga gjithsej mbi 800 milionë euro të akorduara, rreth 66 për qind janë për projekte në nivel kombëtar, dhe mbi 34 për qind për projekte komunale, të dedikuara kryesisht për projekte në fushën e transportit e të tjerat në fushën e arsimit, punësimit dhe politikës sociale. Për 933 projekte për arsim, punësim dhe politikë sociale janë marrë mbi 97 milionë euro përmes IPA-s, ndërsa mbi 220 milionë euro janë dhënë për 54 projekte në fushën e transportit. Në total, në nivel kombëtar dhe komunal janë përfituar mbi 120 milionë euro për demokraci dhe qeverisje për 332 projekte, për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore janë marrë 104 projekte me vlerë 85 milionë euro, për 163 projekte në fushën e konkurrencës dhe risive që BE-ja dha 102 milionë, 60 milionë euro për 188 projekte për bujqësi dhe zhvillim rural, dhe 122 milionë euro për 92 projekte për ekologji dhe veprim klimatik.

    Sa i takon rajoneve ai i Vardarit është lider në fondet evropiane të investuara në vend dhe në të, në periudhën nga viti 2007 e deri më tani (122.851.824.22 euro nga gjithsej 812.457.807.62 euro) të investuara në vend përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian. Rajoni i Pellagonisë është i dyti për nga shfrytëzimi i fondeve evropiane me gjithsej 79.163.058.15 euro, i ndjekur nga rajoni i Shkupit me 44.959.852.53 euro, rajoni Juglindor me 42.353.627.60 euro dhe rajoni Lindor me 37.3071.8 euro. Sipas të dhënave të publikuara nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në rajonin Verilindor janë investuar 34,418,739,01 euro, në rajonin Jugperëndimor 31.171.375.34 dhe në rajonin e Pollogut 29.044.517.85 euro.

    Sipas zëvendëskryeministrit Bojan Mariçiq, ndihma përmes fondeve IPA do të thotë se qytetarët e vendeve anëtare të BE-së tregojnë shkallën e vetëdijes dhe dëshirës për të kontribuar në vendet kandidate për hyrje në Bashkimin Evropian.

    “Përgjegjësia dhe vendosmëria e treguar nga partnerët tanë strategjikë evropianë duhet të merren seriozisht. Marrja e përgjegjësisë nga ana jonë është një nga hapat më të rëndësishëm për realizimin e suksesshëm të procesit të integrimit evropian, dhe realizohet përmes marrjes së vetëdijshme të obligimeve dhe punës së fokusuar nga ana jonë”, ka thënë Mariçiq. Mjetet e investuara në Maqedoni vijnë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, para që rrjedhin në fondet direkt nga pagesa e taksave në BE. Statistikat evropiane tregojnë se më së shumti projekte kanë qenë në rajonin e Shkupit – 515 për të cilat BE-ja ka dhënë 45 milionë euro. Rajoni Verilindor ka marrë 34 milionë euro për 179 projekte, rajoni Lindor ka pasur 133 projekte për 37 milionë euro dhe rajoni i Pellagonisë me 79 milionë euro para evropiane ka mbuluar 263 projekte. Rajoni Jugperëndimor ka marrë 31 milionë euro për 129 projekte dhe, si në të gjitha rajonet e tjera, shumica e projekteve janë në fushën e arsimit dhe vetëm një është për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Në rajonin e Pollogut janë transferuar gjithsej 29 milionë euro për 185 projekte, por asnjë nga fusha e transportit, ndërsa në rajonin Juglindor janë transferuar 4 milionë euro për 113 projekte. Lider në para të marra është rajoni i Vardarit – 122 milionë euro për 132 projekte. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Konkurrencë jo e përsosur, çmime të kripura

    Lajmi i rradhës

    Diabetikët paditin MSh-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë