Konkurrencë jo e përsosur, çmime të kripura

    Vonesat në ndërtimin e Korridorit 8 bëjnë që biznesi të ketë më lehtë të shfrytëzojë portin në Selanik, në vend se të ketë alternativë në portin e Durrësit dhe Varnës. Ky është vetëm një shembull i mungesës konkurrencës më të madhe në ofrimin e shërbimeve të ndryshme në vend. Bile vlerësohet se kompani të caktuara në vend me dekada kanë edhe monopol në tregtimin në portin e Selanikut. Së fundmi edhe nga Banka Botërore, kanë konstatuar se në Maqedoni mbizotërojnë kushte të konkurrencës jo të përsosur dhe për këtë arsye marzhet e fitimit janë të larta dhe kjo shkakton çmime të larta të produkteve dhe shërbimeve, të cilat janë të shtrenjta për qytetarët e Maqedonisë. “Këto çmime nuk mund të shpjegohen apo justifikohen me asgjë, përveç një pozicioni monopolist ose oligopolistik, pra manipulime tregu që përfitojnë një numër të vogël pjesëmarrësish në treg dhe dëmtojnë një pjesë të madhe të popullsisë dhe atë kryesisht segmentet më të cenueshme të popullsisë”, vlerëson Sanja Maxhareviq-Shujster nga Banka Botërore.

    Ekonomistët thonë se në tregun vendor kemi edhe raste të përqendrimit të tregut në pak kompani, të cilat kontrollojnë produktet ose shërbimet që i ofrohen konsumatorëve. Sidoqoftë, asnjë nga këto kompani të mëdha nuk e kontrollojnë plotësisht tregun, por përkundrazi një pjesë të madhe. Përflitet se edhe çmimet e banesave në Shkup në mënyrë të heshtur përcaktohen dhe diktohen nga disa biznese më të mëdha. Nga ana tjetër, edhe një pjesë e ekonomistëve në vend thonë se dikasteret e bujqësisë, ekonomisë apo urbanizmit që rregullojnë sektorët duhet të mendojnë më shumë se lejojnë subjekte të caktuara në treg të rrisin çmimet disa herë dhe të funksionojnë. Kjo do të thotë se nuk ka konkurrencë, thotë profesori universitar Nikolla Popovski. Sipas tij, ekonomia e tregut nuk njeh çmime të rritura jo realisht dhe çmimet në treg janë objektive. Pra, nëse mund të shes diçka për tre herë më shumë se sa e kam blerë, do ta shes sepse kushtet e tregut e lejojnë. Ky është synimi i çdo subjekti ekonomik të çdo biznesi. “Kjo tregon diçka tjetër, se tregu ynë nuk funksionon. Kur tregu po prishet apo trazohet , forcat e tregut duhet ta sjellin atë shpejt në konkurrencë me në një bazë më të ulët, por në vendin tonë rezultoi se shumë sektorë, shumë degë të ekonomisë së tregut janë, në mos të monopolizuar, atëherë të oligopolizuar. Edhe në një prishje e vogël të tregut mund t’i rrisin çmimet, sepse nuk kanë konkurrencë nga subjektet tjera për t’i ulur ato”, sqaron Poposki.

    Nga ana tjetër, vlerësohet se në një lloj të përqendruar të tregut me karakteristika oligopoliste, jo domosdoshmërish veprojnë vetëm ndërmarrjet e mëdha por edhe firmat e vogla mund të marrin pjesë.

    Njëherësh shteti akoma është punëdhënësi dhe kontraktuesi më i madh, së bashku me oligopole të heshtura, flet se akoma kemi shumë punë për të krijuar një ekonomi të denjë që mund të përballet me konkurrencën e ashpër në BE. Me fjalë tjera, akoma nuk kemi një ekonomi të fuqishme dhe konkurruese që do të hapë vende të reja dhe mirë ta paguara të punës, në vend se qytetarët të rendin të punësohen në punë shteti, apo të ikin jashtë shtetit.

    Edhe analizat e tjera tregojnë se ekonomia në vend akoma ka lë për të dëshiruar për një konkurrencë më të madhe. Analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike, tregon se për periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2019, sektori bankar ka shënuar fitime të larta pas tatimit, të cilat në vitin 2018 arritën deri në 1.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që tregon për një disbalancë të madhe në ekonominë e Maqedonisë. “Ka sfida të mëdha në ekuilibrin e përgjithshëm të ekonomisë socio-ekonomike të Maqedonisë, sektori bankar është oligopol për të cilin agjentët ekonomikë paguajnë çmim më të lartë, tregu i punës është jofunksional, pabarazia po rritet dhe mirëqenia është gërryer. Në këtë drejtim, lind vërtet çështja e të menduarit për ndryshimin e rolit të Bankës Popullore. Ndoshta synimi i saj duhet të jetë punësimi i plotë i ekonomisë së Maqedonisë , krahas stabilitetit të sektorit financiar, në mënyrë që politika monetare të përfshihet në mënyrë më efikase dhe efektive në zgjidhjen e problemeve afatgjata të shtetit”, thuhet në analizë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    “Vrasje në Tetovë” | Kush janë fajtorët për zjarrin në Spitalin modular

    Lajmi i rradhës

    FONDET E IPA- 800 MILIONË EURO INVESTIME | Rajoni i Pollogut, përfituesi i fundit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë