Forumet rinore partiake “dekor” në skenën politike!  

    Duke hyrë në terrenin dinamik të evolucionit politik, kalimi nga aktivizmi në qeverisje qëndron si një rrëfim bindës brenda korridoreve të pushtetit. Në një botë ku zërat rinorë po bëhen gjithnjë e më shumë arkitektë të ndryshimit, udhëtimi i liderëve të rinj nga vijat e para të aktivizmit në sferat strategjike të qeverisjes shpalos një sagë magjepsëse.

    Koha ka biseduar me dy liderë rinor nga dy parti shqiptare në vend, Jetmir Asanin e Lëvizjes Demokratike dhe Adem Jasharin që përfaqëson partinë Alternativa, të cilët ndanë këndvështrimet e tyre për detyrën dinamike të udhëheqjes së të rinjve. Nga frymëzimi i gjeneratës së ardhshme deri te përballja me kompleksitetin e qeverisjes, Asani dhe Jashari ofruan njohuri të thella mbi rolet e tyre, duke hedhur dritë mbi përgjegjësitë, aspiratat dhe pengesat që vijnë nga udhëheqja dhe përfaqësimi i zërave të gjallë të të rinjve brenda sferës politike.

    “Sot, të rinjtë janë më të informuar rreth politikës dhe vendimmarrjes dhe kjo falë organizatave të ndryshme ndërkombëtare, pra ata e dinë se duhet të jenë pjesë e proceseve dhe të jenë pjesë formale e politikës dhe mos të shihen vetëm si numra apo si aktivistë për të mbushur salla. Dhe lirisht mund ta them se me qeverisjen e kaluar të Alternativës ishim të përfaqësuar si të rinjë me udhëheqje të institucioneve”, ka thënë Jashari.

    Jashari shton se teksa shoshitnin faqet e historisë, mësimet e nxjerra nga modelet tradicionale të politikanëve nuk kanë qenë një thirrje për t’u përsëritur, por një thirrje për të revolucionarizuar.

    “Duke i parë modelet e liderëve tradicional dhe mënyrën se si është bërë politika në të kaluarën, të rinjtë e kanë parë që modeli tradicional i politikanëve nuk duhet të ndiqet nga ne dhe se duhet të ndryshojmë qasjen se si ne i kyqemi politikës. Një shembull konkret për t’u ndjekur e kemi bërë jo më shumë se një muaj më parë, ku ne të rinjtë e të gjitha partive politike nënshkruam memorandum bashkëpunimi për ligjin për të rinjtë dhe të gjithë së bashku të mundohemi e të punojmë për realizimin e plotë të tij. Momentalisht në memorandumin që e kemi nënshkurar kemi vendosur më shumë pjesëmarrje të të rinjëve në politikë ndërsa pika më kryesore është të punojmë të gjithë bashkërisht që të themelojmë Ministrinë për rini dhe sport”, ka thënë për gazetën Koha, Adem Jashari nga partia opozitare shqiptare Alternativa.

    Në përvojën e tij shumëvjeçare në politikëbërjen e të rinjve, Jetmir Asani i Lëvizjes Demokratike rrëfen udhëtimin e tij transformues drejt aktivizmit rinor gjatë shkollës së mesme, i nxitur nga dëshira për të kontribuar aktivisht në ndryshimet shoqërore.

    “Gjatë kësaj kohe, të rinjtë angazhohen në mënyrë më efektive përmes aktiviteteve tërheqëse dhe intriguese që i inkurajojnë ata të eksplorojnë dhe hulumtojnë çështjet shoqërore. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të adresuar problemet dhe për të propozuar zgjidhje brenda institucioneve shtetërore, rezultatet shpesh përfundojnë me një fotografi për PR të një personi me pozitë udhëheqëse dhe pas asaj propozimi përfundon në një sirtar ku ndoshta nuk do të hapet kurrë”, thotë Asani kur flet për fillimet e tij në këtë fushë dhe arsyen që e çoi atë të bëhet pjesë e LD.

    Sa i përket politikbërjes tradicionale versus qasjes rinore, Asani thotë se ndër vite të rinjtë në vendin tonë janë trajtuar si problem, nga ana e politikanëve më në moshë, dhe se sipas tij, nuk janë marrë seriozisht. “Nga përvoja ime personale dallimi është në sistemin e vlerave, për shembull, politikanët më të vjetër në moshë të cilët kanë kaluar duke u marrë me aktivizëm rinor, aktivizëm studentor apo edhe kanë qenë pjesë e forumeve rinore të partive politike, ata e dinë vlerën e të rinjëve dhe i trajtojnë si resurs ose si një aset kryesor të shoqërisë, për dallim nga ata politikanë që pozitat e tyre i kanë fituar në mënyra të ndryshme dhe jo me vlera”, shton Jetmir Asani.

    Në anën tjetër, aktivisti rinor Eren Ali, njëherit edhe hulumtues në institutin IDEA, ka një tjetër këndvështrim dhe shprehet skeptik mbi përfaqësimin e drejtë të të rinjve nga forumet rinore partiake dhe këtë nuk e sheh ndryshe përpos si mbushje të sallave.

    “Jo domososhmërisht duhet të jesh pjesë e ndonjë forumi rinor partiak që të kesh rol në shoqëri, përkundrazi, praktika tregon të kundërtën prej asaj që promovohet, andaj i riu ndjehet i rrezikuar për çdo vendim apo hap drejtë një subjekti. Këtë e them me bindje të plotë duke ditur sakt opinionin dhe qëndrimet e vet personave që ishin pjesë e forumeve rinore, pa përjashtuar edhe vet kryesuesit e forumeve. Ajo që promvohet e rregullohet me statute nuk ka ndonjë rol me rëndësi, përpos promovimit, logjistikës dhe mbushjen e sallave”, thotë Ali për gazetën KOHA.

    Ai shton ata që përfitojnë, janë ata të cilët janë të favorizuar nga dikush, me një dozë të vogël të meritokracisë.

    “Unë si i ri, nëse kam ndonjë shqetësim, forumet rinore as nuk më bie ndërmend t’i konsultoj, sepse janë të pensionuar, dhe aktivizohen vetëm në ditën kur u vije paga (fushata). Të rinjtë dhe botëkuptimi post-modern për politikën duhen të jenë të përqafuar fuqishëm me qëllim që të ngrihet niveli në kritikë dhe politikë. Kur fenomeni ‘axhë e dajë’ qëndron vetëm për dasma e jo për punë e politikë, dhe ata që janë meritorë të cilët shpesh herë quhen ‘brain drain-i’ që po ik, marrin hapsirën e merituar, atëhere do kemi shpresë e liri”, përfundon aktivisti rinor Eren Ali. 

    Lajmi Paraprak

    Shqiptarët nuk trajnohen | Vetëm 0.7% kanë kryer një trajnim profesional

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut bëhet gjithnjë e më e varur nga importi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë