Rrezik për vonesën dhe vjetërsimin e lëndëve gjyqësore

    Nga nesër 60 gjyqtarë dhe 10 prokurorë do të fillojnë të dalin në pension njëri pas tjetrit, sepse kanë mbushur 62 apo 64 vjet.

    Ministri i Drejtësisë, paralajmëron se nëse gjyqtarët dalin në pension, atëherë shumë lëndë gjyqësore do të duhet të fillojnë nga fillimi, madje disa lëndë do të vjetrohen dhe nuk do të ketë zgjidhje ligjore për to. Ky epilog erdhi pasi shumica parlamentare në Kuvend nuk i kaloi ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës për shkak të veprimeve të opozitës.

    “Dalja në pension e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik do të thotë që një pjesë bukur e madhe e procedurave do të duhet të nisin nga e para. Të mos harrojmë, nuk bëhet fjalë për një apo dy procedura, kur ndërrohet gjyqtari në procedurë, atëherë procesi fillon nga e para. Thashë, nuk e di sa është numri tani, por nuk është i vogël”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

    Opsioni për zgjatjen e afatit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve është një nga mundësitë e fundit për të shmangur bllokimin e pushtetit gjyqësor. Një nga opsionet ishte në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë të regjistrohen bashkëpunëtorë profesionalë nga gjykatat dhe prokuroritë ose avokatë dhe ata të kenë trajnime të shkurta. Por kjo bie nga loja, sepse rekomandimet e BE-së kërkojnë që trajnimi për gjyqtarë dhe prokurorë të zgjasë të paktën 2 vjet. Opsioni i dytë ishte regjistrimi i më shumë kandidatëve në Akademi, por kjo u bë e mundur vetëm tani, kur u regjistruan 97 kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë dhe është tepër vonë për të plotësuar vendet e zbrazura që janë tani. Pas sistematizimit aktual, rreth 200 gjyqtarë punojnë më pak në gjykatat e vendit dhe 100 prokurorë mungojnë në prokurori për ndjekjen e krimit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Skadon afati për miratimin e ligjit kontestues për marrëdhënie pune

    Lajmi i rradhës

    Qendra Klinike në Shkup nga sot mbetet pa 80 mjekë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë