Forumi i Prespës | “Të rinjtë nuk duhet të shihen si liderë të së nesërmes, por si liderë të së sotmes”

    Sot (06.15.2023) në Strugë ka filluar edicioni i tretë i Forumit të Prespës për dialog me titull “Familje e zgjeruar evropiane deri në vitin 2030: një mision i (pa)mundur?”, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa nën patronazhin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Forumi i Prespës për dialog këtë vit përkon edhe me përvjetorin e parë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

    Përfaqësues special i kryesuesit të OSBE-së për të rinjtë, Memet Zhaku e hapi panel diskutimin e parë të Forumit të Prespës për Dialog me titull: “Pjesëmarrja e të rinjve në tranzicionin energjetik drejt një ekonomie të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë drejt arritjes së një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë”. Zhaku theksoi se të rinjtë kanë një pozicion unik në formësimin e botës në të cilën do të donim të jetonim.

    “Të rinjtë nuk duhet të shihen si liderë të së nesërmes, por si lider të së sotmes. Ne të rinjtë kemi një pozicion unik për të formësuar botën ku jetojmë, duke promovuar me zërin tonë vlerat e paqes, sigurisë, drejtësisë dhe barazisë. Organizata jonë ka një fokus dhe qasje të fuqishme ndaj rolit dhe rëndësisë së të rinjve. Ne si Kryesues, po bëjmë çmos që në agjendën tonë të përfshijmë dhe integrojmë perspektivat rinore në të gjitha nivelet”, tha Zhaku.

    Zëvendësministrja për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Hristina Oxhaklieska në fjalimin e saj theksoi tranzicionin e gjelbër që po ndodh sot dhe ndryshimet.

    “Ne duhet t’i mbështesim të rinjtë, t’i përfshijmë ata në proceset e gjelbra përmes mbështetjes së ideve inovative dhe duke krijuar zgjidhje të qëndrueshme, sepse ata janë shtytës të ndryshimit. Ne duhet t’u japim atyre një shans për t’u përfshirë në industritë e gjelbra, proceset hulumtuese dhe të ofrojmë një platformë për bashkëpunim rajonal dhe shkëmbim të praktikave më të mira, aftësive dhe ndryshimeve të qëndrueshme për një tranzicion të bashkuar drejt energjisë së gjelbër dhe një ekonomie të gjelbër në rrugën drejt BE-së. Sot të gjithë së bashku po krijojmë të ardhmen tonë të gjelbër”, tha Oxhaklieska.

    Në Forumin e Prespës, shefi i diplomacisë Bujar Osmani në një dalje para mediave foli rreth aktualitetit politik. I pyetur për propozimin e BDI-së drejt VMRO-DPMNE-së dhe për afatin se deri kur duhet opozita maqedonase të vendosë për këtë çështje, Osmani nuk e tregoi datën e saktë por shtoi se afati i fundit do të jetë votimi i parë në Kuvend i propozimit të Komisionit për ndryshimet kushtetuese.

    “Deri në ditën kur në seancë plenar do të jetë votimi i parë, opsionet janë të hapura për të pasur marrëveshje me opozitën në aspekt të ndryshimeve kushtetuese, përfshirë këtu edhe planin trepikësh të cilin e prezantova dje. Shpresoj se në periudhën e ardhshme nga qeveria do të dërgohet në Kuvend drafti apo propozimi i Komisionit dhe këtu do të fillojnë të llogariten afatet. Pra, deri në votimin e parë. Deri në atë afat kemi  mundësi për marrëveshje me opozitën”, theksoi Bujar Osmani.

    Ai ka komentuar edhe situatën në veri të Kosovës ku ka apeluar autoritetet e Kosovës, të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare rreth situatës së krijuar së fundmi. 

    “Nga kjo pozitë ftoj autoritetet e Kosovës që të jenë në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë euroatlantik, pasi kjo është e ardhmja e vetme e rajonit”, theksoi Osmani. Ai foli edhe për draft projektin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Draftin e kam parë dhe e përshëndes Ramën për këtë iniciativë dhe ideja e tij është për të krijuar ide të reja për të dalur nga situata. Rama nuk imponon zgjidhje por tenton të gjejë shteg për të dalur nga situata. Autoritetet e Kosovës do të vendosin se cila do të jetë më e mirë për ta”, deklaroi Osmani.

    Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, mbajti fjalim në panelin e diskutimit “Trasimi i rrugës drejt prosperitetit: Strategjitë EcoFin për rritje në Ballkanin Perëndimor”.

    “Është e rëndësishme të themi se nuk ka prosperitet në izolim, ka vetëm lakmi dhe kokëfortësi. Pikërisht për atë që bëmë 5 vjet më parë, sot jemi mbledhur këtu në këtë Forumit të Prespës për dialog, për të festuar, por edhe për të kujtuar postulatet për përparim dhe prosperitet. Marrëveshja e Prespës hapi një kapitull të ri në rajon, duke i hapur rrugën prosperitetit dhe stabilitetit. Përveç avancimit të marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ajo gjithashtu inkurajoi rritjen ekonomike dhe promovoi nismat ndërkufitare midis dy vendeve… Për më tepër, Marrëveshja e Prespës pati një efekt domino në rajonin më të gjerë të Ballkanit”, tha Bytyqi.

    Ai shtoi se Marrëveshja e Prespës hapi rrugën drejt prosperitetit duke hequr barrierat, duke inkurajuar bashkëpunimin dhe duke frymëzuar popujt tjerë.

    “Krijoi një trajektore pozitive për zhvillimin ekonomik, stabilitetin politik dhe integrimin rajonal, duke sjellë përfitime të përhershme për Greqinë, Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Po ky rajon që tani po hap rrugën e tij drejt prosperitetit duke iu bashkuar BE-së dhe duke harmonizuar politikat tona EcoFin me standardet e BE-së, ne duhet të ndërmarrim disa hapa konkretë, si për shembull forcimi i kornizës institucionale, duke krijuar institucione të fuqishme dhe transparente që do të sigurojnë qeverisje efektive. Zbatimi i reformave strukturore të ekonomive për të përmirësuar konkurrueshmërinë. Kjo përfshin dhe qasjen në tregje dhe integrimin rajonal të ekonomive, qasjen në zinxhirë të zgjeruar të furnizimit dhe lidhjen e ngushtë. Miratimi i politikave të shëndosha fiskale, përfshirë dhe reduktimin e deficitit buxhetor, menaxhimin efikas të financave publike dhe promovimin e disiplinës fiskale. Harmonizimi i legjislacionit me BE-në dhe përmirësimi i sektorëve financiarë”, potencoi Bytyqi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kandidatët për rektor në Universitetin e Tetovës prezantuan platformat programore

    Lajmi i rradhës

    Banesat bosh, ndërtimi nuk ndalet në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë