Banesat bosh, ndërtimi nuk ndalet në RMV!

    Ndërtimi i banesave në Maqedoninë e Veriut nuk ka të ndalur, edhe pse çdo e treta banesë në vend është e zbrazët. Disa prej apartamenteve janë bosh për shkak të shpërnguljeve të popullatës jashtë shtetit , ndërsa të tjerat blihen si investim në patundshmëri.

    Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në vitin e kaluar janë përfunduar 6301 banesa, nga kompani private, por edhe nga individë. Nga ana tjetër, Mbi 307.187 ose 36.6 për qind e banesave janë bosh, ndërsa 531.987 ose 63.4 për qind janë të banuara, tregojnë rezultatet e fundit të regjistrimit të vitit 2021.

    Aktivisti qytetar Zdravko Savevski duke komentuar ndërtimin e pandalshëm nga njëra anë dhe numrin e madh të banesave ku nuk banon askush, thotë se kjo është Maqedonia që nuk e njohim. “Maqedonia me një të tretën e banesave bosh! Njëherësh në të njëjtën kohë, kapitalistët e ndërtimit (e ashtuquajtura mafia e ndërtimit) po ndërtojnë, po ndërtojnë. Sikur ka mungesë banesash”, thotë Savevski  duke shtuar se edhe në komunat me numrin më të vogël të banesave të zbrazëta, së paku çdo e pesta banesë është e zbrazët.

    Njohësit e kësaj lëmie thonë se kemi më shumë shtëpi të braktisura nëpër fshatra dhe qytete, por edhe shtëpi të reja të mërgimtarëve ku nuk banon askush me grila apo roleta të lëshuara. “Mjafton vetëm të kalosh nëpër më shumë fshatra të Gostivarit, Tetovës, Kërçovës ku vërehen me mijëra e mijëra shtëpi moderne, por të zbrazëta. Fenomene të tilla hasen jo vetëm në Maqedoninë Perëndimore, por edhe në gati të gjitha pjesët e vendit”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi. Ai shton se vitet e fundit mërgimtarët tanë po blejnë banesa në vend që të ndërtojnë shtëpi si një variant më me leverdi për shkak së kostos së shtëpisë për blerje dhe për mirëmbajtjen e saj të lartë karshi kostos më të ulët të banesës. “Përskaj investimit të mërgimtarëve tanë në banesa në Dibër, Gostivar, Tetovë, Shkup….. që janë të banueshme për vetëm disa muaj, kemi edhe fenomenin e ikjes së madhe të popullatës ku janë bosh edhe më shumë banesa në ndërtesat individuale dhe kolektive, që shpesh nuk janë përdorura për një kohë të gjatë, madje janë tërësisht të braktisura ose të shpallura për shitje për një periudhë të gjatë kohore”, thotë Turkeshi. Gjithashtu në një kohë pasigurie edhe pse nuk po shiten mbi 5000 mijë banesa në vjet nga njëra anë, sërish kemi interesim të madh për të investuar në blerjen e një banese si një lloj sigurie, qofshin ato banesa të vogla prej 40-50 metër katror për të cilat merren kredi në banka apo edhe shitet ndonjë patundshmëri tjetër familjare.

    Në ndërkohë, të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2022 janë ndërtuar gjithsej 2519 objekte nga kompanitë e ndërtimit dhe janë përfunduar 3844 apartamente, nga të cilat 3714 janë në pronësi individuale. Sipërfaqja e përgjithshme e këtyre apartamenteve është 257.085 metra katrorë. Më shumë se gjysma e banesave të përfunduara në vitin 2022 janë në rajonin e Shkupit.

    Sipas raportit të Statistikës zyrtare, sipas rajoneve, më së shumti ndërtime janë bërë në rajonin e Shkupit, por edhe në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor. Pjesa më e madhe e banesave është e ndërtuar në komunat ku të dhënat statistikore treguan se kanë edhe numrin më të madh të banesave bosh. Aerodromi dhe Qendra janë dy komunat e Shkupit që edhe një herë e gjetën veten në krye të listës së investitorëve. Nga komunat e Shkupit më së shumti banesa janë ndërtuar në Aerodrom (1.120), pastaj në Gazi Babë (336), si dhe në Qendër (218). Më shpesh bëhet fjalë për apartamente me një madhësi mesatare prej rreth 66.9 metra katrorë.

    Vitin e kaluar individët kanë ndërtuar gjithsej 2145 pallate dhe janë përfunduar gjithsej 2457 apartamente. Prej tyre, 102 janë apartamente në shtëpitë e vikendit me një sipërfaqe totale prej 7981 metrash katrorë. Më së shumti, banesat të zbrazëta janë në rajonin Jugperëndimor, dhe më pak banesa bosh janë në rajonin e Shkupit. Nga komunat e Shkupit, më së shumti banesa të zbrazëta ka Qendra me mbi 40 për qind nga numri i përgjithshëm, ndërsa Çairi me më pak banesa bosh me 22.5 për qind.

    Në Shkup ka mbi 60 mijë banesa bosh ku me nga 20 mijë banesa vakante dominojnë komunat Qendër dhe Karposh. Në Ohër që shquhet si një nga qytetet me shpërngulje më të madhe në vend, por edhe qytetin ku shumë banorë të Shkupit dhe qyteteve të tjera kanë banesat e tyre, ka 17.820 banesa boshe.

    Në Strugë ku gjithashtu ka ikje të madhe të popullatës dhe kanë banesa edhe banorët nga vendbanimet e tjera në Maqedoni, por edhe mërgimtarët ka 10.153 banesa bosh. Numër të lartë të banesave bosh ka edhe në Manastir me 16.063 banesa të zbrazëta që si qytet ka një traditë të hershme të mërgimit në Australi, që vitet e fundit vetëm është fuqizuar si fenomen.

    Gjithashtu tregu i patundshmërive në Maqedoninë e Veriut po tregohet rezistent nga kriza ekonomike. Përkundër shtrenjtimit të banesave prej më shumë se 20 për qind vetëm në nivel të tremujorit të ndryshme të vitit 2022, sipas Bankës Popullore, megjithatë nuk ka të ndalur kërkesa për kredi të reja banesore dhe shitblerjet e mëtejshme të banesave. Kreditë banesore janë rritur në mbi 1 miliard euro apo kanë arritur në mbi 1 miliard e 260 milionë euro. Edhe të dhënat e institucioneve të tjera tregojnë se shitblerja e patundshmërive tregon një trend në rritje, dhe jo në ulje.  Sipas të dhënave nga Regjistri i Çmimeve dhe Qirave, të cilin e mban Agjencia për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme, në vitin 2022 janë regjistruar 224.229 marrëveshje të lidhura për shitblerje, që është rreth 5.500 më shumë se në vitin 2020. Gjithashtu vitin e kaluar në pasuri të paluajtshme janë investuar mbi 900 milionë euro, që është 221 milionë më shumë se në vitin paraprak.

    Njohësit e kësaj problematike thonë se shtrenjtimi i banesave sidomos në Shkup me afër 25 për qind, vjen edhe si rrjedhojë e kërkesës së madhe si dhe çmimeve që i ofrojnë pronarët e parcelave për ndërtim. Gjithashtu për shkak se vlera e parasë po bie, qytetarët po blejnë apartamente sepse mendojnë se ai është një investim i sigurt. Në të njëjtën kohë, ekziston kërkesa e madhe për dhënien e banesave me qira, ndërsa edhe njerëzit nga jashtë Shkupit janë blerësit kryesor të apartamente në kryeqendrën e vendit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Forumi i Prespës | “Të rinjtë nuk duhet të shihen si liderë të së nesërmes, por si liderë të së sotmes”

    Lajmi i rradhës

    KRIZA FINANCIARE | Qytetarët në Maqedoni mezi po mbijetojnë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë