Frutat në rrezik nga të ftohtit – çmimet mund të rriten në RMV!

    Ulja e temperaturave ka dëmtuar shumicën e pemëve në Pollog, në veçanti qershitë, kajsitë, dardhat dhe kumbullat. Një pjesë e madhe e tyre, sipas kultivuesve, janë dëmtuar njëqind për qind. Sezoni i sivjetëm, sipas tyre, do të jetë i dobët me produkte, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit.

    “Ulja e temperaturave në minus 6 është shumë e dëmshme për pemët, mirëpo te mollët e zuri në fazën rosë ashtu i thonë, dhe molla është më e qëndrueshme në atë fazë. Ndërsa dardhët i zuri në lule dhe i dëmtoi gati se 90 për qind, e për mollët ka dëm po do shohim a do bëhet polenizimi megjithatë, 30-40 për qind janë të dëmtuara”, tha Ismaili.

    Ndryshe nga Amet Ismaili, kultivuesi Alirami Saliji thotë se ende ka shpresë dhe që dëmet të jenë më të vogla.

    “Në momentin e paraqitjes së këtyre temperaturave të ulëta pemët në regjionin tonë ishin në fazë lulëzimi dhe shpresojmë se në këtë fazë, dëmet do jenë më të vogla se sikur të ishin në fazën e frutit të porsaformuar. Ekziston një rregull në pemëtari pra varësisht nga feno-faza që ndodhen edhe dëmet janë më të mëdha ose më të vogla. Për këtë situatë, masat paraprake apo preventive për fat të keq janë shumë pak”, tha Saliji.

    Meqë mollët pritet të kenë shpëtuar më së miri në këto temperatura, kultivuesit e mollëve kërkojnë nga shteti që të subvencionojnë firmat por edhe bujqit për paketim dhe selektim që më së miri të mund të shiten jashtë vendit.

    “Tregu i brendshëm, për mollët flas, pra vendi jonë ka shumë më shumë prodhim se sa ka treg, andaj mollët duhet të shiten jashtë. Por për t’u shitur jashtë, tregjet e jashtme kërkojnë shumë kushte si paketimi, kalibrimi që ne s’jemi në gjendje ta bëjmë. Pra këtë jo ne bujqit por duhet ta bëjnë firmat, pra kjo hallkë mungon, mbledhja, paketimi, kalibrimi dhe të konkurrojmë tregun e jashtëm. Ne s`kemi mundësi ta bëjmë andaj ndoshta shteti duhet ti subvencionoj këta”, tha Ismaili.

    Në Pollog, mollët dhe dardhët janë dy produktet kryesore që kultivohen më së shumti. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Farmacitë nuk e respektojnë vendimin e Qeverisë – nuk i publikojnë çmimet në internet

    Lajmi i rradhës

    BE: është thelbësore për Kosovën ta formojë shpejt Qeverinë e re

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë