Fshatrat e Dibrës të zhytura në mbeturina

    Fotografia: Ilustruese

    Pothuajse të gjithë fshatrat e komunës Dibër kanë probleme me mbeturinat. Kjo situatë është vlerësuar pas takimeve që kanë patur përfaqësuesit të pushtetit vendor të komunës Dibër me përfaqësuesit të bashkësive vendore në fshatrat më të mëdha të komunës. Situatat është shqetësuese prandaj pushteti vendor ka ndërmarr aktivitete që problemi të tejkalohet. Tejkalimi i problemit pritet të realizohet në projektin plotësues që realizon komuna për nevojat e ndërmarrjes komunale publike. Ndotja masive e fshatrave drejtpërdrejt shkakton probleme edhe në mjedisin jetësor të qytetit, theksojnë përfaqësues të pushtetit vendor.

    Duke prezantuar analizat nga takimet nëpër fshatra, përfaqësuesi i pushtetit vendor nga sektori për urbanizëm, Gazmend Cami në seancën e këshillit informoi se gjendja e mjedisit jetësor në fshatra është shqetësuese. “Në takimet që patëm në fshatrat më të mëdha të komunës siç janë Mogorça, Xhepishti, Otishani, Kosovrasti i Epërm dhe Kosovrasti i Poshtëm, mund të themi se grumbullimi i mbeturinave është problemi kryesor në vendbanimet rurale. Në çdo fshat janë formuar deponi të egra dhe ne vlerësojmë se për të tejkaluar problemin duhet sa më shpejt të fillojë grumbullimi i mbeturinave nëpër fshatra nga ana e ndërmarrjes komunale ‘Standardi’.

    Kjo është rrugëdalje e vetme, prandaj me projektin plotësues të komunës Dibër që ka të bëjë me përmirësimin e shërbimeve komunale, që është një projekt i Bankës Ndërkombëtare për rinovim dhe zhvillim, parashohim që të furnizojmë edhe një automjet për grumbullimin e mbeturinave nëpër fshatra”, thotë Gazmend Cami i cili është edhe njohës i mirë i problemeve ekologjike në Komunën e Dibrës, por edhe më gjerë. Në debatin morën pjesë edhe përfaqësuesit të partive që kanë këshilltar nga vendbanimet rurale. Edhe ata potencuan faktin se grumbullimi i mbeturinave nëpër fshatra është një nevojë e patjetërsueshme. Ata potencuan se fshatrat faktikisht janë të zhytura në mbeturina dhe papastërti.

    Thonë se popullata është e gatshme të paguajë taksat për grumbullimin e mbeturinave ashtu siç paguajnë dibranët. Ky problem është debatuar edhe në dy vitet e fundit por nuk ka patur një sinkronizim dhe marrëveshje mes ndërmarrjes komunale të Dibrës dhe bashkësive vendore të fshatrave në lidhje me pagesën. Tani kur është siguruar edhe furnizimi i një automjeti për grumbullimin e mbeturinave, faktikisht pritet që nga shtatori të filloj edhe grumbullimi i mbeturinave nga ana e ndërmarrjes komunale “Standardi” edhe në fshatra. Mbeturinat do të hidhen në deponinë kryesore të Dibrës. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Antikorrupsioni: Janë blerë 150 vetura luksoze mbi tre milionë euro!

    Lajmi i rradhës

    Burimet e BE-së pas takimeve Kurti-Vuçiq: Ka pasur progres, por jo rezultat konkret

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë