Fshatrat e Malësisë së Sharrit, në protesta kundër hidrocentraleve

    Fshatrat e Malësisë së Tetovës / Fotografia: Nistori

    Banorët e fshatrave të malësisë së Sharrit protestojnë kundër hidrocentraleve që janë ndërtuar në malin Sharr, nga njerëz siç thonë, të afërt me pushtetin. Banorët thonë se, përveç dëmtimit të rrugës, janë shkatërruar edhe pronat e tyre private, arrat e mbjella tek të cilat qasja pothuajse është pamundësuar.

    “Ne kemi investuar për pronat tona, rrugën tre kilometra e kemi hapur me vetë kontribut për të shkuar te arrat që i kemi mbjell. Kam harxhu 20.000 euro për t’i bë si duhet, e tash s’mund të shkoj as ta kositi barin asgjë. Na janë shkatërruar pronat shkurt, jo vetëm mua por gjithë fshatit, madje e patë edhe në fshat ka të çara muresh nga ky hidrocentral”.

    “Me shumë probleme përballemi, natyrën e kanë prishur, rrugën e kanë prishur, rrugën që e hapi zotri Qaniu për arat e kanë shkatërruare është rrënuar vendi krejt dhe askush s’na pyet asgjë. Ne s’jemi kundër këtyre pronarëve por jo edhe të na dëmtojnë gjithë fshatin”.
    “Pronat private i ka shkatërruar krejt. Dhe më e keqja është se dikush ia ka mundësuar zotëriut që gjitha arrat që i kemi këtu dikush ia ka hedh mbi vete pronarit të hidrocentralit. Unë nuk e di por a e di policia, gjyqi, prokuroria si mund dikujt të ia uzurposh tokën pa nënshkruar”.

    Ka reaguar edhe drejtori i Parkut Nacional të Malit Sharr, Ibrahim Dehari. Ai kërkon nga ministritë përkatëse dhe Qeveria, që të respektojnë Ligjin për parqet nacionale dhe hidrocentralet të ndalohen.

    “Në zonat e mbrojtura, Parqe kombëtare, hidrocentralet janë kategori e ndaluar, dhe kjo, është edhe me konventën ndërkombëtare. Kështu që nga ky vend i bukur natyror por i thyer nga faktori njeri dhe me këtë varrezë pas nesh me çelik, apeloj tek Ministritë dhe Qeveria që të del në ndihmë dhe të anuloj këto koncesionerë që kanë pas një leje të caktuar por që iu ka kaluar afati, që ky vend të kthehet në gjendje siç ka qenë”, tha Ibrahim Dehari, Drejtor i Parkut Nacional të Sharrit.

    Ndryshe, përveç që nuk janë ndërprerë ende punët e hidrocentraleve në malin Sharr, sipas informatave të televizionit Alsat, hidrocentraleve madje iu janë vazhduar koncesionet e punës, ndërsa ata që kanë ndërtuar, dhe shkatërruar rrugët apo tokat e banorëve, asnjëherë nuk i kanë kthyer të njëjtat në gjendjen e mëparshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Protestojnë të punësuarit në MIA, kërkojnë paga më të larta

    Lajmi i rradhës

    Përplasje mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend për minierën e Ilovicës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë