Fukarallëk në Dibër, mbi 800 familje me ndihma sociale

    Viteve të fundit ka në rritje të numrit të familjeve dibrane të cilët ballafaqohen me probleme sociale, ndërsa janë të detyruar të paraqiten në Qendrën për Punë Sociale, për të marrë ndihmë sociale. Dy vitet e fundit, ndihmë sociale marrin mbi 800 familje meqë shumë të tilla nuk kanë asnjë të punësuar, dhe muajin e kalojnë me përkrahje e të afërmve të tyre që kryesisht jetojnë jashtë shteti.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Skënder Daci, për gazetën Koha tregon se aktualisht, ndihmë sociale marrin 828 familje nga Dibra dhe Komuna Qendër Zhupë, kurse vitin e kaluar, në 2023, ndihmë sociale kanë pranuar 867 familje.

    Sipas Dacit, institucioni u ka ndarë ndihmë sociale të gjithë familjeve, të cilët i plotësojnë kushtet nga sfera e ndihmave sociale. Kur jemi tek aktiviteti i Qendrës për Punë Sociale, drejtori ka informuar se vet fakti që ka rritje të kërkesave për të pranuar ushqim të freskët në kuzhinën popullore e cila funksionon në kuadër të Qendrës, flet qartë se probleme sociale viteve të fundit shënojnë një rritje serioze. Ai thotë se vetëm gjatë këtij viti, institucioni ka ndarë edhe 131 ndihma të njëhershme për rastet ekstreme sociale.

    Analizat e shoqatave qytetare që veprojnë në Dibër dhe rajon, thonë se varfëria tek shumë familje nga qyteti i Dibrës, por edhe nga fshatrat tjerë – është në rritje. Familjet kanë probleme ekstreme me varfërinë. Sipas tyre, nëse numri i familjeve që janë në listën që pranojnë ndihma sociale është mbi 800, atëherë numri i anëtarëve të këtyre familjeve është mbi 3500.

    Është një numër i madh i anëtarëve të cilët jetojnë me mjete maksimalisht të ulëta. Ata mbijetojnë me ndihmesa që vijnë nga diaspora dibrane që jeton në SHBA dhe Europë. S.T nga Dibra i cili jeton vitet të 70-ta, thotë se me 7000 denarë në muaj, të cilët i merr si ndihmë sociale me familjen e tij katër anëtarëshe, jeton me shumë probleme.

    “Temperaturat këto ditë shkojnë edhe në minus dhe unë nuk kam filluar ende ta ngrohë si duhet dhomën ku jetojmë. Nuk kam dru, meqë nuk kam para. Disa shoqata qytetare që kanë karakter humanitar më kanë thënë se ata do të më sigurojnë dru. Paratë që i marrë si ndihmë sociale nuk dalin as për një javë”, thotë bashkëbiseduesi i jonë.

    Në Dibër ka edhe familje pa kulm mbi kokë, të cilët jetojnë me qira, ose në shtëpi të mërgimtarëve, dhe nuk paguajnë qira. B.F. është një kryefamiljar i cili ka tre fëmijë dhe bashkëshorten. Ai na thotë se nuk ka banesën e vet, dhe shpreson se nga ndërtesat sociale që Qeveria ka ndërtuar në Dibër, do t’i ndahet një banesë.

    “Kjo është shpresa e fundit për familjen time . Ndihma sociale është e vogël, unë nuk jam në punë dhe nëse nuk më ndahen një banesë, atëherë nuk e di se si do të jetojmë”, shton ai. Por në Dibër ka shumë familje të pastrehë, të cilët poashtu shpresojnë se nëse u zgjidhet kjo çështje, atëherë do të tejkalojnë problemin e tyre themelor. Ata thonë se me ndihmat sociale nuk mund të mbijetohet e jo të sigurohet banesë.

    Lajmi Paraprak

    NJË E TRETA E MJEKËVE DREJT PENSIONIMIT!

    Lajmi i rradhës

    RMV, vendet e punës që askush s’i zë as këtë vit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë