Fushatat që planifikon të nisë Qeveria e Maqedonisë së Veriut për ndërgjegjësimin e popullatës për vaksinim kundër sëmundjes COVID-19, kanë ngritur dyshimet e shoqatës së gazetarëve, nëse me këtë fushatë do të ndikohet në pavarësinë e mediave. Nga kjo shoqatë, thonë se qeveria po vepron kundër zotimit të saj për heqjen e reklamave. Por, Xhelal Neziri nga Qendra për Gazetari Hulumtuese, thotë se nuk ka asgjë të keqe nga fushatat e tilla, nëse ato janë transparente. Ai thotë e fushata të tilla po bëhen në gjithë botën, e cila po përballet me pasoja të rënda nga pandemia e virusit Covid-19, shkruan REL.
Ministria e Shëndetësisë, disa herë ka paralajmëruar fushata në media për ndërgjegjësimin e popullatës mbi nevojën e vaksinimit, por ato ende janë në fazën e përgatitjes, ndërkohë që në opinion ka mendime të ndryshme, nëse me këto fushata ndikohet në punën dhe pavarësinë e mediave.
Këtë muaj, qeveria shpalli tri tenderë për realizimin e fushatave të vaksinimit dhe për parandalimin e korrupsionit. Për këtë qëllim janë paraparë të ndahen 600 mijë euro.
Reklamimi i qeverisë në media është ndaluar me ligj tash e disa vjet. Por, qeveria e LSDM-së që drejtohet nga kryeministri, Zoran Zaev që bëri ndalimin e tyre, tani insiston në ndryshime ligjore, për të mundësuar reklamimin e fushatave me interes publik.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut (SHGM), është kundër reklamave të tilla në media, meqë vlerëson se paraqesin tendencë që përmes financimit të mediave, të vihet kontroll mbi politikat e tyre redaktoriale.
Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv në SHGM, thotë për Radion Evropa e Lira se qeveria nuk po e mban premtimin e dhënë dhe po shkel ligjin që parasheh ndalimin e reklamave shtetërore në media.
“Së pari, është një problem politik, pasi qeveria derisa negocion me mediat nëse do të ketë apo jo fushata publike, ajo shpall tenderë për reklama, të cilat në thelb mund të kontestohen me faktin se para se të vinte kjo qeveri në pushtet, një nga premtimet më të mëdha kishte shfuqizimin e praktikës së fushatave publike në media private”, thotë Sekulovski.