Fushatë e re me premtime të vjetra

    Ende pa nisur fushata zyrtare, kandidatët për Çair kanë filluar garën me premtime të njohura prej më shumë se një dekade. Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, tashmë edhe kandidat për kryetar komune, shfrytëzoi postin qeveritar për të dalë në terren me Orce Gjorgjievskin, kandidat i VMRO-DPMNE-së për Qytetin e Shkupit duke premtuar sërish ndërtimin e bulevardit “Cvetan Dimov”, që ndryshe njihet si rruga e “Jahja Pashës” në Çair, një projekt që është shndërruar në refren elektoral të çdo cikli zgjedhor. Mexhiti tha se me projektin e ri do të zgjidhet problemi i trafikut për banorët e Shkupit.

    “Ky projekt do të jetë ndër projektet e para të qytetit të Shkupit dhe komunës së Çairit, që do të realizohet në mandatin e ardhshëm, sepse do të zgjidh arterien kryesore të Çairit. Është e paraparë të zgjerohet me dy koris. Domethënë bulevardi do të ketë gjashtë korsi, do të ketë gjelbërim në mes, do të ketë biçikleta, trotuare dhe korsi për biçikleta dhe poashtu e ndriçuar tërësisht”, theksoi Mexhiti.

    Ndërsa, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski pranoi se ky projekt është premtuar pothuajse nga të gjithë kryetarët e mëparshëm, por u zotua se ndryshe nga të tjerët ai do të realizon atë.  “Veçmë në Qytetin e Shkupit ekziston dokumentacioni i plotë, është projekti dhe të gjitha kushtet për ekspoproimin që duhet ta bëjmë, që do të thotë se është një nga projektet kyçe që do ta bëjmë nga tetori. Ne jemi absolutisht të vetëdijshëm se në çfarë gjendje gjendet Qyteti i Shkupit, jemi të vetëdijshëm për degradimin e Qytetit dhe të ndërmarrjeve publike të qytetit”, theksoi Gjorgjievski.

    Kujtojmë se ky projekt është premtuar disa herë nga kryetari aktual i komunës së Çairit Visar Ganiu, i cili është një ndër personat më të afërt të Mexhitit.  Gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, Ganiu pati premtuar ndërtimin e bulevardit, të cilin e llogariti si një ndër tre mega-projektet e tij.  “Zgjerimi i rrugës Cvetan Dimov është një ndër projektet më të rëndësishme që do ta lehtëson trafikun dhe do ta përshpejton qarkullimin e automjeteve. Do të ketë 35 metra gjerësi, korsi për biçiklistët, gjelbrim mes dy anëve, që do të thotë ajër më të pastër dhe trotuare për këmbësorët, një investim prej afro 7 milion euro”, kishte deklaruar Ganiu më 13 tetor të vitit 2021.

    Më 30 maj të vitit 2023, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, kishte bërë të ditur se në mbledhjen е Këshillit të Qytetit të Shkupit ka marrë dritë jeshile ndërtimi i Bulevardit “Cvetan Dimov” në Çairi. Ai pati falënderuar kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe anëtarët e Këshillit për kalimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për çairasit, por jo vetëm.

    “Qytetarë të nderuar me kënaqësinë më të madhe ju informojmë se në mbledhjen e Këshillit të Qytetit të Shkupit sot ka marrë dritën jeshile ndërtimi i Bulevardit ‘Cvetan Dimov’ në Komunën e Çairit. Falënderojmë kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska si dhe falënderojmë të gjithë këshilltarët e Qytetit të Shkupit pa marrë parasysh se cilës parti politike i takojnë që votuan këtë Mega-Projekt të rëndësishëm jo vetëm për banorët e Çairit por për të gjithë shkupjanët”, pati deklaruar Ganiu atëherë. Ndërsa më pas, Ganiu për dështimin e këtij projekti kishte fajësuar kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila sipas Ganiut, nuk ka pasur vullnet për ta nisur këtë projekt.

    Ndërsa jo vetëm rruga “Cvetan Dimov” është ajo që premtohet në çdo fushatë zgjedhore. Edhe parkingjet në kate ishin një temë e premtuar nga kreu aktual i Visar Ganiut. Në fushatën e vitit 2017,  Ganiu premtoi 4 garazhe me kate me buxhet të parashikuar 18.8 milion euro në lokacionet “Sahat Kullë”, Teatri Shqiptar, Sheshi “Skënderbeu”, “Çairçanja”…. Asnjë nuk u ndërtua gjatë mandatit të parë, ndërsa këto premtime vazhduan edhe në vitin 2021, në mandatin e dytë. Më 6 shtator 2021, Ganiu pati bërë marrëveshje në prag fushate me kompaninë Mabetex për 12 garazhe, investim 50 milionë euro dhe rreth 3000 vende parkimi në shumë lokacione të Çairit, por realizimi i këtyre nuk u bë realitet. Në vitin 2025, Mexhiti vazhdoi të zotohet se do të gjej zgjidhje edhe për parkingjet.

    “Njëherë duhet t’iu krijojmë mundësi qytetarëve dhe pastaj të marrim masa. Do ti sigurojmë alternativat edhe për parkingje edhe për zgjerim të bulevardeve”, theksoi Mexhiti, i cili kur u pyet se a ngelet plani për garazhe në kate në QT Çairçane theksoi: “Po, por do flasim radhën tjetër për parkingjet në kate”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët deri më 11 shtator mund të kontrollojnë nëse janë në Listën Zgjedhore

    Lajmi i rradhës

    Studentët zgjedhin FShIIK-un, drejtimet humane mbeten bosh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë